

LUSHNJE – Një aksident rrugor është regjistruar mbrëmjen e sotme në aksin nacional “Tri Ura”, në Lushnje, ku një automjet tip BMW është përplasur me një kalë që i ka dalë papritur përpara.
Sipas informacioneve paraprake, përplasja ka qenë e pashmangshme për drejtuesin e mjetit, për shkak të errësirës së madhe dhe daljes së menjëhershme të kafshës në rrugë, duke e bërë të pamundur manovrimin për shmangie.
Si pasojë e aksidentit, pasagjerja e automjetit, bashkëshortja e drejtuesit, ka mbetur e lënduar dhe është transportuar menjëherë në spital, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore. Fatmirësisht, drejtuesi i mjetit nuk raportohet të ketë pësuar dëmtime serioze.
Nga përplasja e fortë, kafsha ka ngordhur në vend.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, si dhe për dokumentimin ligjor të ngjarjes.
Ky segment rrugor, që lidh Lushnjen me zonën e Grabjanit dhe Çermës, konsiderohet tejet i rrezikshëm në orët e mbrëmjes, për shkak të ndriçimit të pamjaftueshëm dhe pranisë së shpeshtë të kafshëve në rrugë, duke përbërë një rrezik serioz për qarkullimin rrugor.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






