Transmetuar më 08-02-2026, 16:46

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka shprehur vlerësimin e tij për punën e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, duke e cilësuar si profesionale dhe të suksesshme angazhimin e saj në operacionet e njëpasnjëshme kundër veprimtarive të paligjshme që cenojnë sigurinë publike.

Në një mesazh vlerësimi, Proda theksoi se operacioni i fundit i koduar “Barriera”, si dhe ndërhyrjet e realizuara gjatë vitit 2025 dhe në fillim të këtij viti, janë dëshmi e një pune të mirëorganizuar hetimore dhe operacionale nga strukturat e DVP Tiranë, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Tiranës dhe partnerët ligjzbatues.

Sipas tij, këto rezultate konfirmojnë gjithashtu nivelin e lartë të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe marrëdhëniet shumë të mira mes Policisë së Shtetit dhe Policisë së Kosovës, në funksion të parandalimit të armëmbajtjes pa leje, trafikimit të lëndëve narkotike dhe çdo forme tjetër paligjshmërie.

Drejtori i Përgjithshëm nënvizoi se mjetet e paligjshme përbëjnë një rrezik serioz për jetën e qytetarëve dhe sigurinë publike, ndaj parandalimi dhe goditja e tyre mbetet një prioritet absolut për Policinë e Shtetit.

Ai bëri të ditur se gjatë vitit 2026, lufta pa kompromis ndaj armëmbajtjes pa leje, trafikimit të armëve dhe veprimtarive të lidhura me to do të jetë një nga fokusët kryesorë të punës së Policisë së Shtetit në të gjitha qarqet e vendit.

Në përfundim, Proda inkurajoi strukturat policore që të vijojnë punën me vendosmëri, profesionalizëm dhe përkushtim maksimal, në shërbim të ligjit dhe sigurisë së qytetarëve.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit