

VLORË – Detaje të reja janë zbuluar lidhur me dhunimin e avokatit të njohur Kujtim Cakrani, përfaqësues ligjor i ish-Presidentit të Republikës, Ilir Meta, i cili u sulmua ditën e sotme në qytetin e Vlorës.
Sipas informacioneve më të fundit, Cakrani ndodhet aktualisht i shtruar në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku po merr ndihmë mjekësore në repartin e kirurgjisë. Burime spitalore bëjnë me dije se ai ka pësuar dëmtime në zonën e fytyrës, ndërsa gjendja e tij shëndetësore po monitorohet nga stafi mjekësor.
Ngjarja ka ndodhur në ambientet e një pike karburanti, ku avokati është përfshirë në një konflikt të çastit me disa persona, për motive që ende nuk janë bërë publike. Gjatë përplasjes, dyshohet se Cakrani është goditur në fytyrë me derën e një automjeti, çka ka bërë të nevojshme ndërhyrjen mjekësore.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin e personave të përfshirë dhe sqarimin e shkaqeve që çuan në konflikt. Deri në këtë fazë, nuk ka ende një njoftim zyrtar mbi autorët apo mbi pasojat ligjore të incidentit.
Autoritetet pritet të dalin me një komunikatë zyrtare në vijim, ndërsa dinamika e plotë e ngjarjes mbetet nën hetim.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






