Transmetuar më 08-02-2026, 14:08

Fotografia e tij ishte vendosur mes dhjetëra të tjerave në një ekspozitë kushtuar ushtarëve të rënë të fshatit. Për familjen dhe komunitetin, Nazar Daletskyi konsiderohej i vdekur në luftë.

Por ai ishte gjallë.

Pas tre vitesh e nëntë muajsh robëri, ushtari ukrainas u lirua gjatë shkëmbimit të fundit të të burgosurve mes Ukrainës dhe Rusisë dhe arriti të telefonojë familjen, duke i dhënë fund një historie që kishte nisur si tragjedi.

Rasti i tij u bë publik nga BBC, e cila publikoi edhe videon e telefonatës prekëse me familjen. Në anën tjetër të linjës ishte nëna e tij, Nataliya, e tronditur nga zëri që kishte vite pa dëgjuar. Pyetja e parë ishte instinktive: “A i ke krahët, a i ke këmbët, a je mirë?”. Më pas shpërtheu në lot. “Oh bir, të kam pritur kaq gjatë”, dëgjohet të thotë ajo, ndërsa në sfond dëgjohen britmat e gëzimit të kushërirës së tij, Roksolana.

“Ne e kishim varrosur dhe tani po dëgjoj zërin e tij. A mund ta imagjinoni çfarë ndjen një nënë?”, rrëfen Nataliya.

Kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Nazar, atëherë 42 vjeç, u mobilizua sërish. Ai kishte marrë pjesë edhe në luftimet e vitit 2014. Në maj të atij viti, ai u zhduk pa lënë gjurmë. Pak kohë më vonë, nëna e tij mori një telefonatë në gjuhën ruse, ku një burrë i tha shkurt se Nazar ishte kapur rob. Nuk u dha asnjë informacion tjetër. Më pas, gjithçka u zhyt në heshtje.

Në vitin 2023, familja mori lajmin që shoi çdo shpresë. Në një morg u identifikua një trup i djegur rëndë, përmes një kampioni ADN-je të dhënë nga vetë Nataliya. Trupi dyshohej se ishte një nga viktimat e gjetura në një autobus të shkrumbuar. Familja e njohu zyrtarisht, organizoi funeralin dhe e vajtoi Nazarin, ashtu si mijëra familje të tjera ukrainase gjatë këtij konflikti.

Një kthesë e papritur ndodhi në shtator të vitit të kaluar, kur një ushtar i sapoliruar nga robëria në Rusi deklaroi se e kishte parë Nazarin gjallë në burg. Dëshmia u prit me dyshim dhe shpresë të përmbajtur. Konfirmimi përfundimtar erdhi vetëm këtë javë, me telefonatën e papritur të vetë Nazarit, pas lirimit të tij.

Në pritje të ribashkimit pas gati katër vitesh, familja ka hequr nga rrjetet sociale fotografitë e funeralit dhe ka larguar portretin e tij nga ekspozita kushtuar heronjve të rënë. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur një hetim për të zbardhur se si mund të ketë ndodhur një gabim kaq i rëndë në identifikimin e trupit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit