

Godina që dikur gumëzhinte nga zërat e fëmijëve, sot qëndron e heshtur dhe e mbyllur. Shkolla e fshatit Lazarat, e rikonstruktuar në vitin 2019 me synimin për t’u shërbyer brezave të rinj, ka mbetur pa nxënës për shkak të emigrimit masiv dhe largimit të familjeve të reja nga zona.
Pas mbylljes së shkollës, godina u përshtat dhe u inaugurua si qendër grumbullimi për bimët medicinale, e njohur si CAT (Cannabis Alternative), një projekt me dimension social i mbështetur nga qeveritë zvicerane dhe austriake. Qendra u prezantua si një alternativë ekonomike për Lazaratin dhe zonat përreth, në një realitet ku papunësia dhe mungesa e investimeve vijojnë të jenë probleme të theksuara.
Megjithatë, pavarësisht inaugurimit dhe pritshmërive të krijuara, qendra nuk ka funksionuar asnjë ditë. Pajisjet dhe ambientet mbetën të pashfrytëzuara, ndërsa investimi i kryer nuk u vu kurrë në shërbim të komunitetit. Sot, godina qëndron sërish e mbyllur, ashtu si shkolla më parë.
Banorët e Lazaratit shprehen të zhgënjyer dhe të keqardhur për gjendjen e objektit. Sipas tyre, nuk bëhet fjalë thjesht për një ndërtesë të braktisur, por për një simbol të shpresave të shuara dhe të projekteve që mbeten vetëm në letër. Ata theksojnë se fshati ka nevojë për punësim real dhe mbështetje konkrete, jo vetëm për inaugurime formale dhe prerje shiritash.
Në një zonë që prej vitesh përpiqet të distancohet nga e shkuara dhe të ndërtojë një model të ri jetese përmes punës së ndershme dhe zhvillimit të ekonomisë bujqësore, mbyllja e kësaj qendre përbën një tjetër zhgënjim për komunitetin.
Ndërsa emigrimi vijon dhe të rinjtë largohen, Lazarati rrezikon të mbetet jo vetëm pa shkollë dhe pa mundësi punësimi, por edhe pa shpresë për të ardhmen, nëse projektet nuk shoqërohen me funksionim real dhe politika afatgjata zhvillimi.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






