Transmetuar më 08-02-2026, 10:07

Kryeministri deklaron se rritja e pagave të gjyqtarëve ka nxitur pakënaqësi në publik dhe thekson se nuk mund të ketë rritje të përhershme.

Kryeministri Edi Rama është ndalur sërish te çështja e pagave të gjyqtarëve, duke deklaruar se kjo temë ka rikthyer debat të fortë publik dhe ka vendosur sistemin e drejtësisë në qendër të pakënaqësisë qytetare.

Sipas Ramës, reagimet e opinionit publik kanë qenë të ndara, ku një pjesë e shqiptarëve kundërshtojnë rritjen e pagave, ndërsa një tjetër kërkon uljen e tyre, gjë që sipas tij është e pamundur. Ai theksoi se reforma në drejtësi ka sjellë përgjigje të forta edhe për gjyqtarët, por brenda një logjike të drejtë të hierarkisë së pagave.

“Në çdo vend të botës ekziston një piramidë pagash, që nis nga Presidenti i Republikës dhe zbret poshtë. Ne i kemi rritur pagat e gjyqtarëve mbi shumë kategori të tjera, por nuk i kemi vendosur mbi të gjithë”, u shpreh Rama, duke shtuar se Shqipëria nuk mund të bëhet një rast i veçantë ku gjyqtarët të kenë pagat më të larta në krye të hierarkisë shtetërore.

Kryeministri apeloi për sens shtetëror nga ana e gjyqtarëve, duke theksuar se kërkesa për rritje të vazhdueshme pagash nuk është e arsyeshme. Ai shtoi se nuk ka pasur qëllim polemik personal, pavarësisht sulmeve ndaj tij, dhe vlerësoi faktin që nuk ka pasur reagime të mëtejshme ndaj deklaratave të tij.

Rama theksoi gjithashtu se rritja e pagave të gjyqtarëve nuk mund të jetë e përhershme dhe shprehu shpresën që Gjykata Kushtetuese të japë një vendim përfundimtar mbi këtë çështje.

“Sipas meje, është cenuar në mënyrë të padrejtë besueshmëria e gjyqtarëve. Shpresoj që Gjykata Kushtetuese t’i vërë vulën kësaj çështjeje”, përfundoi Kryeministri.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit