

Kostoja e jetesës, qiratë e përballueshme dhe qëndrimi deri në një vit pa vizë po e kthejnë Shqipërinë në një alternativë serioze për pensionistët nga SHBA.
Shqipëria po shfaqet gjithnjë e më shumë si një destinacion i preferuar për pensionistët amerikanë, të cilët po zgjedhin qytetet bregdetare për të kaluar vitet e daljes në pension. Kostoja e ulët e jetesës, qiratë e përballueshme dhe mundësia për të qëndruar deri në një vit pa vizë apo leje qëndrimi janë faktorët kryesorë që po nxisin këtë trend.
Sipas agjentëve të tregut imobiliar, qytete si Vlora dhe Saranda kryesojnë listën e zgjedhjeve, me qira mujore që variojnë nga 400 deri në 500 dollarë amerikanë për apartamente pranë bregdetit.
Një prej këtyre rasteve është Lisa Spence, 62 vjeçe nga Alabama, e cila prej muajit tetor jeton në Vlorë. Ajo shprehet se me pensionin mujor prej 2,200 dollarësh, jeta në SHBA do të ishte e papërballueshme, ndërsa në Shqipëri gëzon një cilësi më të mirë jetese.
“Me të ardhurat nga pensioni, në SHBA mezi do të mbijetoja. Këtu jeta është më e qetë, njerëzit janë mikpritës dhe shpenzimet shumë më të ulëta”, shprehet ajo, duke theksuar edhe klimën, ushqimin dhe aksesin e lehtë në shërbime shëndetësore.
Agjentja imobiliare Viola Shehaj-Malaj konfirmon se gjatë vitit 2025 dhe në fillim të 2026-ës, kërkesa nga pensionistët amerikanë për qëndrim afatmesëm në Vlorë ka shënuar rritje të ndjeshme. Sipas saj, shumica e tyre janë ende në fazë testimi, duke shfrytëzuar mundësinë e qëndrimit njëvjeçar pa vizë për të vendosur nëse do të qëndrojnë më gjatë.
Përveç amerikanëve, Shqipëria vijon të jetë tërheqëse edhe për pensionistët italianë, të ndikuar nga politikat fiskale favorizuese dhe mostatimi i pensioneve të tyre. Sipas të dhënave të publikuara, deri në mars 2025 numri i pensionistëve italianë që jetojnë në Shqipëri ka arritur në rreth 3,000.
Sipas Policisë së Shtetit, shtetasit amerikanë kanë të drejtë të qëndrojnë në Shqipëri deri në një vit pa leje qëndrimi, bazuar në një vendim të Këshillit të Ministrave të vitit 2022. Gjithashtu, pensionistët e huaj me të ardhura vjetore mbi 1.2 milionë lekë mund të përfitojnë leje qëndrimi sipas kritereve ligjore në fuqi.
Ekspertët vlerësojnë se, me politika të mirëfillta promovimi, përmirësim të shërbimeve shëndetësore dhe qartësi fiskale, Shqipëria ka potencial të kthehet në një nga destinacionet kryesore të pensionimit në Europë për shtetasit amerikanë dhe perëndimorë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






