

Tensionet dhe deklaratat e forta vijojnë të dominojnë dinamikat brenda shtëpisë së Big Brother VIP, ku banori Rogert ka bërë një “reflektim” të gjatë mbi pozicionin e tij në lojë, duke theksuar se ndihet i rrethuar nga armiqësi dhe xhelozi.
Gjatë qëndrimit në dhomën e reflektimit, Rogerti u shpreh se në shtëpi ka vetëm dy miq të vërtetë, ndërsa pjesën tjetër të banorëve i konsideron armiq.
“Është e vështirë të kuptosh dinamikën e shtëpisë, por unë i kam marrë gjërat copa-copa. Këtu kam 12 armiq dhe vetëm dy miq: Artanin dhe Juelën. Të tjerët i kam armiq në kuptimin e plotë të fjalës”, deklaroi ai.
Sipas Rogertit, arsyeja kryesore e këtij qëndrimi ndaj tij është xhelozia për mënyrën se si ai po e luan lojën.
“Ata janë xhelozë për lojën time, sepse kam lëvizur shtëpinë si kurrë më parë. Arsye tjetër është enigma ime: i keqi, i shpifuri dhe i miri. I bëj thirrje lojtarëve të kenë kujdes nga Miri, sepse është i vetmi që po i vë në lëvizje. Me mua janë vetëm Tani dhe Juela, na ka lidhur shpirti i bardhë”, tha Rogerti.
Deklaratat e tij nuk kanë kaluar pa reagime nga banorët e tjerë. Selin ironizoi situatën, duke u shprehur se Rogertit “nuk i mjafton një dhomë reflektimi për të reflektuar”.
Nga ana e tij, Stenaldo komentoi ashpër qasjen e Rogertit në lojë, duke e cilësuar si një strategji pa limite.
“Për natyrën që kam unë, një zgjedhje si ajo që bëra më rri mirë. Për Rogertin ngelem pa fjalë kur e dëgjoj. Një personazh që do të fitojë BBV nuk ka limit, nuk mendon dy herë dhe ka si synim të godasë tjetrin. Le të vijë, me mua do të luftojë çdo sekondë këtu”, u shpreh Stenaldo.
Ndërkohë, pritet një prime me surpriza, ku shtëpisë pritet t’i bashkohen dy banorë të rinj, si dhe përflitet për rikthimin e Luiz Ejllit, çka pritet të ndryshojë ndjeshëm ekuilibrat e lojës.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






