

Milano, 7 shkurt 2026 – Rreth 5 mijë persona kanë protestuar në Milano kundër zhvillimit të Lojërave Olimpike Dimërore Milano–Cortina, ceremonia hapëse e të cilave u mbajt të enjten. Demonstrata u shoqërua me tensione dhe përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të rendit.
Sipas mediave italiane, protestuesit kanë qëlluar me fishekzjarre drejt mjeteve të policisë, ndërsa forcat e rendit janë kundërpërgjigjur me topa uji dhe gaz lotsjellës. Raportohet gjithashtu për një sulm me armë ndaj policisë, ndonëse autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të plota mbi këtë episod.
Një grup protestuesish, të veshur me kapuçë dhe helmeta, marshoi drejt unazës lindore të Milanos, duke hedhur bomba tymuese dhe fishekzjarre përgjatë rrugës. Situata u përshkallëzua veçanërisht në zonën e Corvettos, ku pas përleshjeve me policinë u ndaluan pesë persona, të cilët u shoqëruan në komisariat.
Protestuesit hodhën shishe, fishekzjarre dhe mjete piroteknike drejt policisë së trazirave, e cila bllokoi aksesin drejt unazës lindore. Pas ndërhyrjes me topa uji, demonstruesit u tërhoqën përkohësisht, por më pas rifilluan marshimin në drejtim të Corso Lodi.
Marshimi u hap me pankarta që kundërshtonin prerjen e pemëve dhe ndikimin mjedisor të projekteve olimpike, raporton La Repubblica. Në Via Monpiani, disa protestues mbanin një banderolë me mbishkrimin “Njih armikun tënd”. Protesta vijoi në Piazza Gabrio Rosa dhe më pas në Viale Martini.
Fishkëllima ndaj J.D. Vance gjatë një eventi olimpik
Zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vance u fishkëllye sërish gjatë një ndeshjeje të hokejit për femra mes SHBA-së dhe Finlandës, e zhvilluar në Hockey Arena Milano Rho, të cilën ai po e ndiqte së bashku me familjen e tij.
Në momentin kur Vance, i shoqëruar nga sigurimi, u largua nga tribunat, nga një pjesë e audiencës u dëgjuan thirrje proteste “buuu, buuu”. Sipas raportimeve, reagimi ishte i kufizuar dhe erdhi kryesisht nga sektori ku ndodheshin tifozë amerikanë. Ndeshja përfundoi me fitoren e SHBA-së, 5–0 ndaj Finlandës. Trump: U habita nga fishkëllimat për Vance
Presidenti amerikan Donald Trump reagoi ndaj episodeve të fishkëllimave, duke u shprehur se ishte i habitur nga reagimi i publikut ndaj zëvendëspresidentit të tij.
“Jam i habitur, sepse njerëzit e pëlqejnë atë. Ai ndodhet në një vend të huaj, por në vendin tonë ai nuk fishkëllehet”, deklaroi Trump për gazetarët në bordin e Air Force One, duke iu referuar ceremonisë hapëse të Lojërave Olimpike Milano–Cortina.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






