

Paris, 7 shkurt 2026 – Xhudistja kosovare Distria Krasniqi vijon të konfirmohet si një nga emrat më të mëdhenj të xhudos botërore, duke fituar medaljen e artë në Grand Slamin e Parisit, në kategorinë deri në 52 kilogramë.
Në finalen e madhe, Krasniqi triumfoi bindshëm ndaj spanjolles Ariane Toro Soler, të cilën e mposhti me Ippon në më pak se 10 sekonda, duke dhënë një tjetër paraqitje mbresëlënëse.
Rrugëtimi i saj në këtë turne nisi nga raundi i dytë, pasi raundin e parë e kaloi pa duel falë renditjes së saj të lartë në klasifikimin botëror. Në raundin e dytë, Distria u përball me francezen Alicia Marques, duel që e dominoi nga fillimi deri në fund për të siguruar kualifikimin në çerekfinale.
Në çerekfinale, xhudistja kosovare pati një përballje të vështirë ndaj brazilianes Larissa Pimenta, por arriti të triumfojë në kohën shtesë, duke siguruar kalimin në gjysmëfinale.
Në këtë fazë, Krasniqi mposhti edhe francezen Amandine Buchard, për të siguruar biletën për finalen, ku kompletoi suksesin e madh me fitoren ndaj Toro Soler.
Me këtë triumf, Distria Krasniqi siguron medaljen e saj të nëntë në Grand Slamin e Parisit, duke forcuar edhe më tej statusin e saj në elitën e xhudos ndërkombëtare dhe duke i dhënë Kosovës një tjetër sukses madhor sportiv.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






