Transmetuar më 07-02-2026, 18:10

Kamëz, 7 shkurt 2026 – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi këtë të shtunë një bashkëbisedim me qytetarë dhe simpatizantë në Kamëz, ku hodhi akuza ndaj qeverisjes vendore dhe asaj qendrore, duke i cilësuar 12 vitet e fundit si periudhë diskriminimi dhe padrejtësish për banorët e këtij qyteti.

Gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh se Kamza, ashtu si shumë zona të tjera të vendit, është përballur me mungesë investimesh, varfërim dhe emigrim masiv të të rinjve. Ai tha se familjet janë detyruar të përcjellin fëmijët jashtë vendit për shkak të mungesës së perspektivës dhe mundësive ekonomike.

“Kanë qenë 12 vite diskriminimi të pamerituar për qytetarët e Kamzës. Vite në të cilat shumica e familjeve janë detyruar të përcjellin fëmijët në rrugët e botës, sepse nuk kishin asnjë mundësi për të ndërtuar të ardhmen këtu. Koha pothuajse ka ndaluar në Kamëz me këtë kryetar, apo më saktë pseudo-kryetar që keni”, deklaroi Berisha.

Kreu i PD-së theksoi gjithashtu se hapësirat e gjelbra të qytetit po zëvendësohen nga ndërtimet masive, ndërsa infrastruktura sipas tij ndodhet në gjendje të rënduar.

“Kamza, një nga qytetet më të mëdha në Shqipëri për nga numri i banorëve, ka mbetur me një infrastrukturë në rrënim. Hapësirat publike dhe mjediset e domosdoshme për qytetarët po zhduken, duke u zëvendësuar nga betoni”, u shpreh ai.

Berisha foli edhe për rritjen e çmimeve dhe nivelin e ulët të pagave dhe pensioneve, duke akuzuar qeverinë për keqmenaxhim ekonomik dhe përqendrim të pushtetit.

Në vijim, ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për manipulim të proceseve zgjedhore, duke i cilësuar zgjedhjet e viteve të fundit si farsë elektorale.

“Sipas tij, vota e qytetarëve është dhunuar përmes metodave antidemokratike dhe antikushtetuese, duke e kthyer procesin zgjedhor në një treg të zi të vullnetit dhe idealeve të njerëzve”, tha Berisha.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit