

Pamjet që qarkulluan së fundmi në rrjetet sociale, të publikuara nga Genard Hajdini, ku shfaqej motra e tij Sonida në gjendje të rënduar emocionale, shkaktuan reagime të shumta në opinionin publik dhe nxitën kërkesa për ndërhyrjen e institucioneve përkatëse.
Në lidhje me këtë rast, Ministria e Shëndetësisë reagoi duke sqaruar se menjëherë pas publikimit të videos, strukturat sociale të Njësisë Administrative nr. 2, në bashkëpunim me mjekët e Qendrës Shëndetësore dhe Policinë e Shtetit, ndërhynë për të vlerësuar gjendjen shëndetësore të Sonida Hajdinit.
Sipas njoftimit zyrtar, nga verifikimet rezultoi se videoja, e cila tashmë është fshirë nga rrjetet sociale, ishte realizuar me qëllim tërheqjen e vëmendjes në internet dhe jo për arsye të tjera keqdashëse. Videoja u hoq pas ndërhyrjes së menjëhershme të policisë.
Strukturat shëndetësore siguruan trajtimin e nevojshëm mjekësor, duke qenë se Sonida Hajdini kishte qenë e shtruar edhe më herët në Spitalin e Shëndetit Mendor dhe ishte lënë në trajtim ambulator. Aktualisht, si Genard Hajdini ashtu edhe motra e tij ndodhen të shtruar në spitalin psikiatrik të Tiranës për një trajtim më të specializuar.
Ndërkohë, institucionet përkatëse kanë nisur procedurat për hartimin e një plani masash që parashikon monitorimin e vazhdueshëm të të dy personave. Materialet janë referuar gjithashtu në prokurori për vlerësim të mëtejshëm, sipas rekomandimeve të strukturave përgjegjëse.
Autoritetet bëjnë me dije se dy të rinjtë, të njohur në rrjetet sociale, kanë kaluar kohët e fundit një periudhë të vështirë psikologjike, e cila është përkeqësuar pas humbjes së babait të tyre. Pas kësaj ngjarjeje të rëndë, ata u larguan për një kohë nga vëmendja publike dhe iu nënshtruan trajtimit mjekësor. Rikthimi i tyre i fundit ka treguar se gjendja kërkon ndërhyrje dhe mbështetje të vazhdueshme profesionale, ndaj janë marrë masa urgjente nga institucionet kompetente.
Deklaratë Publike 7 Shkurt 2026
Pas publikimit në faqen e Instagram-it të shtetasit G.H., ku shfaqej në mënyrë të papërshtatshme motra e tij, shtetasja S.H., menjëherë nga strukturat sociale vendore të Njësisë Administrative nr. 2, së bashku me stafin mjekësor të Qendrës Shëndetësore nr. 1 dhe oficerët e policisë të Komisariatit nr. 1, u bë vlerësimi i gjendjes së shtetases S.H.
Gjatë intervistimit, u shpreh se videoja kishte si qëllim ndjekjen virale të vetë personazhit dhe jo elementë dhune apo qëllime dashakeqësie. Videoja është fshirë nga vetë G.H., pas urdhrit të menjëhershëm të policisë.
Strukturat shëndetësore bënë gjithashtu të mundur edhe injektimin e medikamenteve shëndetësore, pasi nga qëndrimi para dy javësh në Spitalin e Shëndetit Mendor në Tiranë, ishte lënë përgjegjësi për trajtim ambulator, i cili ofrohej nga një kujdestare e vendosur nga të afërmit e dy personave.
Aktualisht, ata ndodhen të shtruar për një shërbim më të specializuar mjekësor në spitalin psikiatrik të Tiranës, ndërsa nga ana e organeve kompetente materialet janë referuar në prokurori, sipas edhe rekomandimit tonë.
Struktura e NJNVR-së së Njësisë nr. 2, së bashku me Drejtorinë e Mbrojtjes Sociale në Bashkinë e Tiranës dhe Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror të Qarkut Tiranë, do të mblidhen për hartimin e planit të masave për monitorimin e vazhdueshëm të dy personave me lidhje gjaku (motër dhe vëlla), ku do të kërkohet edhe mbështetje nga organet kompetente për hetime të mëtejshme, për shkak të dyshimit për konsumimin e veprës penale të shfrytëzimit të një personi me aftësi ndryshe.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






