

Një skemë e re mashtrimi po qarkullon prej disa ditësh në aplikacionin WhatsApp dhe ka prekur edhe përdorues në Shqipëri. Mesazhi, i njohur si “mashtrimi i balerinës”, fton qytetarët të klikojnë një link për të votuar në një konkurs vallëzimi për fëmijë, zakonisht me tekstin: “Përshëndetje! A mund të ndani pak kohë për të votuar Sarën? Ajo është vajza e shoqes sime dhe fituesi merr një vit mësime vallëzimi pa pagesë.”
Në pamje të parë, mesazhi duket i padëmshëm dhe shpesh vjen nga një kontakt i njohur, çka e bën edhe më të rrezikshëm.
Si funksionon mashtrimi?
Pasi përdoruesi klikon linkun, ai ridrejtohet në një faqe që imiton një platformë votimi për një konkurs vallëzimi për fëmijë. Në realitet, faqja shërben për vjedhjen e të dhënave dhe infektimin e llogarisë WhatsApp.
Me vetëm një klikim, hakerët arrijnë të:
marrin akses në profilin WhatsApp të viktimës
shohin kontaktet dhe bisedat
përdorin llogarinë e infektuar për të dërguar mesazhe të tjera mashtruese
Më pas, nga profili i komprometuar nisin të dërgohen linke të reja drejt kontakteve, shpesh të maskuara si lojëra online apo oferta të rreme, të cilat mund të çojnë edhe në akses në aplikacione bankare apo financiare.
Mashtrimi përhapet si zinxhir
Për shkak se mesazhi dërgohet nga numra realë dhe kontakte të njohura, vigjilenca e përdoruesve ulet ndjeshëm, duke e bërë skemën të përhapet me shpejtësi dhe të krijojë një zinxhir viktimash.
Raste edhe në Itali
Mashtrimi është raportuar edhe në Itali, veçanërisht në provincën e Reggio Emilia, ku dhjetëra persona kanë rënë pre e skemës, përfshirë edhe dy kryetarë bashkish në zonën Val d’Enza. Kryetari i bashkisë San Polo d’Enza, Franco Palù, ka depozituar kallëzim penal pranë karabinierëve.
Çfarë duhet të bëjnë qytetarët?
Ekspertët e sigurisë kibernetike këshillojnë:
të mos klikohen linke të dyshimta, edhe kur vijnë nga kontakte të njohura
të verifikohet gjithmonë përmbajtja e mesazheve
të aktivizohet verifikimi me dy hapa (two-step verification) në WhatsApp
të kontrollohet rregullisht në sa pajisje është e hapur llogaria personale
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të raportojnë raste të tilla mashtrimi.


Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






