

TIRANË – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi virtual me qytetarët këtë të shtunë, komentoi vendimet e fundit të institucioneve evropiane ndaj qeverisë shqiptare dhe rolit të protestave qytetare në këtë proces.
Fjala e Berishës
“Kaloi një javë gjatë së cilës Shqipëria u damkos në qendrat kryesore ndërkombëtare për shkak të veprimeve të papërgjegjshme të kryeministrit Edi Rama, i cili ka treguar se ligji dhe Kushtetuta nuk ekzistojnë për të”, tha Berisha.
Ai shtoi se qëndrimet e kryeministrit kanë rrezikuar procesin e integrimit evropian, duke përdorur Gjykatën Kushtetuese dhe gjykatës të papërgjegjshëm si mburojë për veprimet e tij. “Por, këto veprime u përballën me kundërshtimin më të fuqishëm të partnerëve tanë dhe të Komisionit Europian”, u shpreh ai, duke falënderuar institucionet europiane për reagimin e tyre.
Berisha theksoi rolin vendimtar të qytetarëve:
“Protestat tuaja kanë qenë të një rëndësie përcaktuese. Ato u bënë kambanë alarmi për mbarë botën për situatën në Shqipëri dhe kanë shtyrë komunitetin ndërkombëtar drejt vendimeve ndëshkuese të paparë ndaj Edi Ramës.”
Ai akuzoi kryeministrin për shkelje të interesave të shqiptarëve dhe për përpjekje për të mbrojtur vetveten dhe veprimet e tij:
“Edi Rama është njeriu që shkelmon mbi interesat e shqiptarëve dhe të ardhmen e tyre evropiane, vetëm për të mbrojtur veten dhe veprat e tij të zeza. Por falë qytetarëve dhe protestave të tyre, komuniteti ndërkombëtar ka ndërhyrë.”
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






