Transmetuar më 07-02-2026, 11:55

Janë mbyllur ditën e sotme kërkimet për 30-vjeçarin Jurgen Karaj, i cili rezultonte i zhdukur që prej 10 janarit, pasi dyshohet se ishte marrë nga rrjedha e një përroi në fshatin Darsë, Klos, pas një aksidenti rrugor.

Trupi i pajetë i të riut u gjet pas disa javësh kërkimesh intensive, ku u angazhuan forca të shumta shtetërore dhe vullnetare. Në operacion morën pjesë ushtria, forcat “Shqiponja”, shërbimet zjarrfikëse të Matit dhe Klosit, punonjës të Bashkisë Klos, si dhe banorë të zonës dhe familjarë të viktimës.

Operacionit të kërkimit iu bashkua edhe një ekip i specializuar nga Kosova, për kërkime nënujore, me urdhër të presidentes Vjosa Osmani.

Rrethanat e aksidentit

Sipas hetimeve paraprake, Jurgen Karaj ndodhej si pasagjer në automjetin që drejtohej nga 24-vjeçari Andi Losha, i cili humbi kontrollin e mjetit dhe përfundoi në përrua, në fshatin Dars, Klos.

Nga verifikimet rezulton se drejtuesi i automjetit arriti të dalë nga uji, por u largua nga vendngjarja pa njoftuar policinë dhe pa i dhënë ndihmë shokut të tij, i cili mbeti në rrjedhën e ujit.

Pas ndalimit nga policia, Andi Losha iu nënshtrua testit të alkoolit, ku rezultoi se kishte qenë në gjendje të dehur në momentin e aksidentit. Ai akuzohet për largim nga vendi i aksidentit dhe mosdhënie ndihme, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Jurgen Karaj ishte shpallur i zhdukur që prej ditës së aksidentit dhe u gjet sot, fatkeqësisht, pa shenja jete, duke i dhënë fund kërkimeve disa javore.

Mat

Gjatë operacionit të pandërprerë të kërkimit për gjetjen e shtetasit J. K., në orët e para të mëngjesit të sotëm, në lumin e fshatit Urakë, u gjet një trup i pajetë, i cili dyshohet se i përket shtetasit J. K., 30 vjeç, i cili më datë 10 janar 2026 u mor nga rrjedha e përroit të fshatit Dars.

Në operacionin e kërkimit u angazhuan polumbarët e RENEA-s, Forca Kombëtare e Sigurisë, Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, Forcat e Armatosura të Ministrisë së Mbrojtjes, Forcat Speciale të Kosovës, si dhe forca vullnetare dhe familjarë.

Trupi i pajetë do të transportohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore, me qëllim përcaktimin e saktë të identitetit dhe shkaqeve të humbjes së jetës.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit