Transmetuar më 07-02-2026, 11:29

ITALI – Dhimbje dhe tronditje në komunitetin shqiptar dhe atë italian pas tragjedisë që i mori jetën një familjeje shqiptare në Porcari, si pasojë e një rrjedhjeje të monoksidit të karbonit. Viktima janë Arti Kola, bashkëshortja e tij Jonida, si dhe dy fëmijët e tyre, Hajdari dhe Xhesika, 15 vjeçe.

Nxënësit, mësuesit dhe miqtë i kanë dhënë lamtumirën Xhesika Kolës me mesazhe prekëse, duke vendosur lule dhe dedikime përpara shkollës ku ajo studionte. “Xhesika jeton përgjithmonë në zemrat tona”, “Na mungon tashmë”, “Ti do të shkëlqesh gjithmonë”, ishin disa nga fjalët e shkruara nga shokët e saj.

Reagimi i shkollës dhe mbështetje psikologjike

Xhesika ishte nxënëse e vitit të tretë në shkollën e mesme të Camiglianos, në zonën e Capannorit. Drejtoresha e institucionit, Gloria Giuliani, u ka dërguar një letër nxënësve dhe stafit, ku shpreh “ngushëllimin e thellë” dhe “afërsinë e sinqertë me familjarët në këtë moment dhimbjeje të madhe”.

Nxënësit po mbështeten nga një psikologe, e angazhuar nga shkolla, ndërsa mbrëmjen e së enjtes u zhvilluan homazhe spontane, ku morën pjesë të rinj dhe prindër.

Dhimbja ka prekur edhe shkollën e mesme të Porcarit, ku studion kushëriri i Xhesikës dhe Hajdarit, djali i Durim Kolës, vëllait të Artit.

Rrëfimi i të afërmit që tentoi shpëtimin

Durim Kola ishte personi që hyri i pari në banesë së bashku me karabinierët, në përpjekje për të shpëtuar familjen. Ai u shtrua në spital për shkak të thithjes së monoksidit të karbonit, por tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

“Nuk arrita t’i shpëtoja”, u ka thënë ai njerëzve të afërt, sipas mediave italiane.

Hetimet dhe autopsia

Në kuadër të hetimeve, Prokuroria e Luccas ka urdhëruar kryerjen e autopsisë mbi trupat e viktimave, ndërsa banesa mbetet nën sekuestro. Hetimet teknike janë në vijim dhe nuk përjashtohet kryerja e një ekspertize mbi kaldajën e banesës.

Aktualisht, nuk ka persona të regjistruar si të dyshuar, por është hapur një procedim penal për vrasje nga pakujdesia.

Autoritetet po rindërtojnë gjithashtu edhe veprimet e shërbimeve të emergjencës. Sipas hetimeve paraprake, ambulanca nuk arriti menjëherë në banesë për shkak të një adrese të pasaktë, të komunikuar gjatë telefonatës në numrin 112 nga Hajdari, i cili dyshohet se ndodhej në gjendje konfuzioni.

Mesazhi i ipeshkvit të Luccas

Ipeshkvi i Luccas, Paolo Giulietti, ka reaguar me një mesazh prekës, duke deklaruar se:

“Është koha e zisë dhe e një heshtjeje që peshon rëndë për të gjithë ata që i kanë njohur Artin, Jonidën dhe fëmijët e tyre. Mos lejoni që vdekja të ketë fjalën e fundit.”

Ai iu drejtua veçanërisht të rinjve që kanë njohur Hajdarin dhe Xhesikën, duke i ftuar që dashuria dhe miqësia të mbeten busull në rrugën e tyre.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit