Transmetuar më 07-02-2026, 11:11

GJAKOVË – Gjykata Themelore në Gjakovë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 22 personave të dyshuar për falsifikim të rezultateve të votimit, duke vendosur ndaj tyre masën e paraqitjes së detyrueshme në stacion policor.

Vendimi u mor pas tri seancave dëgjimore, të mbajtura mbrëmjen e kaluar, ku gjyqtari i procedurës paraprake, Drilon Haraçia, vlerësoi se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për shqiptimin e masës së paraburgimit.

Dyshimet e Prokurorisë

Sipas Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të dyshuarit, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve për numërimin e votave, të autorizuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), dyshohet se kanë ndërhyrë në mënyrë të kundërligjshme në procesin e numërimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit në Gjakovë.

Prokuroria pretendon se këto veprime kanë çuar në falsifikimin e rezultateve zgjedhore, duke cenuar integritetin e procesit zgjedhor dhe vullnetin e votuesve.

Masat e vendosura dhe e drejta e ankimit

Gjykata ka caktuar ndaj 22 të dyshuarve masën e paraqitjes së detyrueshme në stacion policor për një periudhë njëmujore, nga 6 shkurti deri më 5 mars 2026.

Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës, brenda afatit ligjor.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit