Transmetuar më 07-02-2026, 10:46

TIRANË / PADOVA – Një biznesmen italian ka humbur jetën në Shqipëri pas një ndërhyrjeje kirurgjikale për zvogëlimin e stomakut, ndërsa autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

Viktima është Massimo Ferro, 54 vjeç, sipërmarrës nga Camposampiero, Itali. Ai kishte vendosur t’i nënshtrohej një operacioni bariatrik pas vitesh dietash të pasuksesshme, duke iu besuar një klinike private në Milano, e cila i kishte propozuar ndërhyrjen në një klinikë partnere në Tiranë.

Ngjarja fatale ndodhi më 22 dhjetor, disa ditë pas operacionit të kryer në kryeqytetin shqiptar.

Hetim penal në Itali

Për të hedhur dritë mbi rastin, Prokuroria e Padovës, me prokuror Andrea Girlando, ka regjistruar në listën e personave nën hetim kirurgun Andrea Formiga dhe dietologen Alessandra Freda, të dy nga Lombardia.

Të hënën pritet të kryhet autopsia mbi trupin e 54-vjeçarit, ndërsa mjeku ligjor i ngarkuar nga prokuroria është Antonello Cirnelli.

Udhëtimi drejt Tiranës dhe ndërhyrja

Sipas mediave italiane, kontakti mes Ferro-s dhe kirurgut ishte realizuar përmes komunikimeve në WhatsApp, ku ishin diskutuar procedura, kosto dhe organizimi i udhëtimit. Çmimi i ndërhyrjes ishte 4.400 euro, ndjeshëm më i ulët se rreth 15 mijë euro që kërkoheshin për të njëjtin operacion në Itali.

Ndërsa pacienti vuante nga diabeti i tipit II dhe peshonte 108 kilogramë, operacioni u planifikua për më 18 dhjetor në Tiranë. Analizat para-operative, të cilat ai nuk kishte arritur t’i përfundonte në Itali, u kryen një ditë para ndërhyrjes në Shqipëri.

Sipas familjarëve dhe përfaqësuesve ligjorë të tyre, avokatëve Stefano Squarise dhe Jenny Lopresti, nuk janë respektuar procedurat e parashikuara nga udhëzimet italiane dhe ndërkombëtare për kirurgjinë e obezitetit. Udhëzimi i vetëm i dhënë pacientit kishte qenë që të mos konsumonte ushqim që nga mbrëmja para operacionit.

Përkeqësimi dhe vdekja

Massimo Ferro mbërriti në Tiranë më 17 dhjetor, së bashku me bashkëshorten e tij. Një ditë më vonë iu nënshtrua operacionit. Më 22 dhjetor, gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua ndjeshëm: iu rrit temperatura, pati vështirësi në frymëmarrje dhe më pas pësoi arrest kardiak.

Sipas familjarëve, deri më tani shkaku i saktë i vdekjes mbetet i paqartë.

“Duam vetëm të dimë pse Massimo nuk u kthye më në shtëpi”, kanë deklaruar bashkëshortja e tij, Romina, dhe fëmijët e çiftit. Corriere

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit