Transmetuar më 07-02-2026, 09:13

ARABIA SAUDITE – E ardhmja e Cristiano Ronaldos në Arabinë Saudite po vihet seriozisht në dyshim. Ylli portugez po kalon momente tensioni me klubin e tij Al Nassr dhe drejtuesit e Ligës Profesionale Saudite, mes spekulimeve për një largim të mundshëm që mund të ndryshojë rrjedhën e karrierës së tij në Lindjen e Mesme.

Dyshimet janë shtuar pas mungesës së CR7 në ndeshjen ndaj Al Riyadh, si dhe bojkotit të seancave stërvitore, veprime që sipas mediave ndërkombëtare lidhen me pakënaqësitë e tij ndaj mënyrës së menaxhimit të ligës.

Pakënaqësitë e Ronaldos

Burime pranë lojtarit bëjnë të ditur se Ronaldo është irrituar veçanërisht nga transferimi i Karim Benzema-s te Al Hilal, skuadër e drejtuar nga Simone Inzaghi dhe aktualisht kryesuese e kampionatit me diferencë të ndjeshme. Sipas CR7, disa klube përfitojnë trajtim preferencial nga Fondi i Pasurisë Sovrane të Arabisë Saudite (PIF), i cili kontrollon disa prej ekipeve kryesore të ligës, përfshirë Al Nassr dhe Al Hilal.

Kjo situatë, sipas raportimeve, e ka shtyrë Ronaldon t’u komunikojë drejtuesve të klubit dhe ligës se po shqyrton seriozisht largimin nga Arabia Saudite.

Klauzola dhe interesimi nga Turqia

Kontrata e Cristiano Ronaldos me Al Nassr është e vlefshme deri në vitin 2027 dhe përmban një klauzolë lirimi prej 50 milionë eurosh. Sipas TalkSport, disa klube turke kanë shprehur interes konkret dhe janë gati ta aktivizojnë klauzolën në merkaton e verës së ardhshme.

Reagimi i Ligës Profesionale Saudite

Ligës Saudite nuk i ka pëlqyer qëndrimi i yllit portugez. Në një deklaratë zyrtare, drejtuesit e ligës hodhën poshtë akuzat për favorizime, duke theksuar se:

“Çdo klub vepron në mënyrë të pavarur, sipas të njëjtave rregulla financiare dhe konkurruese, të zbatuara në mënyrë të barabartë për të gjithë.”

Një zëdhënës i ligës, i cituar nga BBC, shtoi se:

“Cristiano Ronaldo, si çdo lojtar elitar, dëshiron të fitojë, por asnjë individ, pavarësisht rëndësisë, nuk merr vendime përtej klubit të tij.”

Qëndrimi i Al Nassr-it

Te Al Nassr, situata po ndiqet me kujdes, por pa panik. Drejtuesit e klubit besojnë se protesta e Ronaldos do të përfundojë së shpejti, duke qenë se ai ka nevojë për vazhdimësi në lojë për t’u përgatitur për Kupën e Botës që do të zhvillohet në SHBA. Megjithatë, pas këtij turneu, e ardhmja e tij mbetet e hapur dhe largimi nuk përjashtohet.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit