

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimmarrjen lidhur me kërkesën e paraqitur nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë për heqjen e masës së pezullimit nga detyra të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Sipas njoftimit zyrtar të publikuar nga Gjykata Kushtetuese, kërkesa u shqyrtua në seancën e datës 6 shkurt 2026, por gjyqtarët nuk arritën shumicën e nevojshme për marrjen e një vendimi përfundimtar, çka solli rrëzimin e ankimimit të qeverisë.
Gjykata bëri me dije se votimi u nda në dy qëndrime të kundërta, me 4 vota pro dhe 4 kundër. Gjyqtarët që votuan kundër kërkesës së Kryeministrit për heqjen e masës së pezullimit nga detyra të Belinda Ballukut janë:
Marsida Xhaferllari
Ilir Toska
Sandër Beci
Asim Vokshi
Në arsyetimin paraprak, Gjykata Kushtetuese vlerëson njëzëri se imuniteti i ministrit rregullohet nga neni 103, pika 3 e Kushtetutës, në lidhje me nenin 73 të saj, dhe se ky regjim imuniteti nuk përfshin ndalimin e masës së pezullimit nga ushtrimi i një funksioni publik, siç parashikohet në nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale.
Gjykata thekson se sipas parimit të shtetit të së drejtës, edhe ministrat i nënshtrohen ligjit dhe mund të mbahen ligjërisht përgjegjës për shkeljet e tij. Në këtë kuadër, Kushtetuesja nënvizon rëndësinë e epërsisë së Kushtetutës, zbatimin e drejtpërdrejtë të dispozitave të saj dhe parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
Sa i përket debatit juridik, qëndrimet e gjyqtarëve u ndanë mes dy interpretimeve. Sipas njërit qëndrim, masa e pezullimit nga detyra prek funksionin kushtetues të ministrit dhe, për rrjedhojë, do të duhej autorizim paraprak nga Kuvendi, në analogji me imunitetin e deputetëve. Ndërsa sipas qëndrimit tjetër, Kushtetuta parashikon shprehimisht vetëm masat procedurale penale të listuara në nenin 73, pika 2, dhe nuk përfshin pezullimin nga detyra, duke e lënë këtë çështje në diskrecionin e ligjvënësit kushtetues.
Për shkak të mungesës së shumicës së kërkuar, në zbatim të nenit 133, pika 2 të Kushtetutës dhe ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese, kërkesa e Kryeministrit u rrëzua.
Vendimi është përfundimtar dhe hyn në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare, ndërsa arsyetimi i plotë do të shpallet brenda afateve ligjore të parashikuara.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






