Transmetuar më 06-02-2026, 19:02

TIRANË – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese pritet të votojë me pesë vota në mbrojtje të zv.kryeministres Belinda Balluku, duke e cilësuar këtë vendim si të diktuar nga kryeministri Edi Rama.

Deklaratat Berisha i bëri gjatë një takimi të quajtur “Foltore” me anëtarët dhe simpatizantët e degëve 8 dhe 10 të Partisë Demokratike në Tiranë.

Sipas tij, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë vepruar nën urdhra politikë, duke votuar kundër interesave të qytetarëve shqiptarë. Berisha e cilësoi qeverinë aktuale si “organizatë kriminale” dhe akuzoi mazhorancën për korrupsion dhe vjedhje të fondeve publike.

“Organizata kriminale e Edi Ramës ka urdhëruar gjykatësit të votojnë në mbrojtje të Lubi Ballukut. Sot votohet kundër interesave më jetike të çdo qytetari shqiptar”, u shpreh Berisha gjatë fjalës së tij.

Kreu i PD-së paralajmëroi se një vendim i tillë, sipas tij, mund të ketë pasoja serioze për procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke rrezikuar përpjekjet shumëvjeçare për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Berisha shtoi se, sipas tij, aferat korruptive nuk lidhen vetëm me emra individualë, por me vetë kryeministrin. “Lubia është vetëm një emër fiktiv. Aferat janë të Edi Ramës mbi të gjitha”, deklaroi ai.

Deklaratat e Berishës vijnë në një kohë tensionesh të shtuara politike dhe akuzash të ndërsjella mes opozitës dhe mazhorancës për çështje që lidhen me drejtësinë dhe korrupsionin.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit