

Një mësues i gjuhës angleze në shkollën 9-vjeçare “Gustav Mayer” në Tiranë është larguar nga detyra, pasi prindërit e nxënësve denoncuan se ai predikonte fenë e Dëshmitarëve të Jehovait gjatë orëve mësimore, në shkelje të parimit të arsimit laik.
Bëhet fjalë për shtetasin Dritan Zaimi, i cili, sipas ankesave dhe verifikimeve institucionale, përdorte orët e anglishtes për të trajtuar tema fetare, për të shfaqur video me përmbajtje fetare dhe për t’u dhënë nxënësve të ciklit fillor detyra shtëpie që lidhen me urdhërimet e Perëndisë dhe doktrinën e Dëshmitarëve të Jehovait.
Rasti u bë publik pas shqetësimit të prindërve të nxënësve të klasës së katërt, të cilët në fillim të shkurtit u drejtuan pranë drejtuesve të shkollës, pasi konstatuan në fletoret e fëmijëve detyra me përmbajtje fetare. Në disa prej tyre shkruhej:
“Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde” dhe “Duaje fqinjin tënd si veten tënde”.
Sipas dëshmive të nxënësve dhe prindërve, mësuesi u fliste fëmijëve për Zotin dhe fundin e botës, duke përdorur shprehje që kanë shkaktuar shqetësim të thellë. Një prej nxënësve ka treguar se gjatë orëve të mësimit u ishte thënë: “Vdis sot, se do të ngjallesh nesër”, ndërsa temat fetare përsëriteshin për disa orë mësimore radhazi. Prindërit e konsiderojnë këtë gjuhë të papranueshme dhe të dëmshme për fëmijët e moshës së vogël, duke theksuar se shkolla duhet të jetë një ambient neutral dhe i sigurt nga çdo formë indoktrinimi.


Sipas dëshmive të nxënësve, mësuesi fliste gjatë mësimit për Zotin, fundin e botës dhe besimin fetar, ndërsa notat maksimale jepeshin për detyra që kishin përmbajtje fetare. Prindërit e cilësuan situatën si të papranueshme dhe theksuan se besimi fetar është çështje personale dhe nuk ka vend në ambientet e shkollës publike.
Pas ankesës së depozituar më 2 shkurt 2026, Drejtoria e shkollës “Gustav Mayer”, në bashkëpunim me shërbimin psikosocial, kreu menjëherë verifikimet përkatëse. Përfaqësues të drejtuesve dhe shërbimit psikosocial hynë në orën mësimore të zhvilluar nga mësuesi dhe administruan materialet e përdorura gjatë procesit mësimor.
Po më 2 shkurt 2026, rasti iu referua Komisionit të Etikës, i cili e përcolli çështjen për shqyrtim në Komisionin e Disiplinës. Më 3 shkurt 2026, Komisioni i Disiplinës u mblodh dhe, pas votimit të fshehtë, me 7 vota pro, vendosi masën disiplinore “largim nga puna”.
Sipas Drejtorisë Rajonale Arsimore Parauniversitare të Tiranës, i gjithë procesi është zhvilluar në përputhje me Kodin e Punës, ligjin nr. 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar”, rregulloren e institucioneve arsimore dhe Kodin e Etikës së Mësuesit. Institucioni thekson se janë respektuar edhe të drejtat e mësuesit për t’u dëgjuar, i cili është njoftuar të paraqitet më 9 shkurt 2026 për të shprehur qëndrimin e tij lidhur me vendimin.
Që prej datës 3 shkurt 2026, Dritan Zaimi nuk ka zhvilluar më orë mësimore në shkollën 9-vjeçare “Gustav Mayer”.
Drejtoria Arsimore ka theksuar se institucionet arsimore mbeten të angazhuara për garantimin e arsimit laik, respektimin e etikës profesionale dhe mbrojtjen e nxënësve nga çdo formë indoktrinimi brenda ambienteve shkollore.
***
Lëvdimi i Jehovait në shkollë duket se promovohet edhe nga ithtarët e kësaj feje të cilët në faqe zyrtare tregojnë madje dhe shembuj se si ndodh kjo:
"E lëvdojnë Jehovain në shkollë
ANEMBANË botës, të rinjtë që janë Dëshmitarë të Jehovait, po e lëvdojnë Jehovain në mënyra të ndryshme në shkollë, si me anë të të folurit, ashtu edhe të sjelljes…"

Njoftim mbi rastin e mësuesit të gjuhës angleze në shkollën “Gustav Mayer”:
Në vijim të ankesës së paraqitur nga dy prindër më datë 02.02.2026, Drejtoria e shkollës 9-vjeçare “Gustav Mayer” ka kryer menjëherë verifikimet përkatëse, në bashkëpunim me shërbimin psikosocial të institucionit. Në kuadër të këtij procesi, drejtoria dhe shërbimi psikosocial kanë hyrë në orën e mësimit të zhvilluar nga mësuesi dhe kanë administruar materialet përkatëse të përdorura gjatë procesit mësimor.
Bazuar në gjetjet e verifikimit, ndaj mësuesit z. Dritan Zaimi janë ndjekur procedurat ligjore dhe institucionale në fuqi. Konkretisht:
• Më datë 02.02.2026, Drejtoria e shkollës i ka përcjellë rastin Komisionit të Etikës (shkresa nr. 29 prot.), i cili u mblodh në të njëjtën datë.
• Me shkresën nr. 30 prot., Komisioni i Etikës ka referuar çështjen për shqyrtim në Komisionin e Disiplinës.
• Më datë 03.02.2026, Komisioni i Disiplinës u mblodh dhe, me votim të fshehtë, vendosi me 7 vota pro masën disiplinore “largim nga puna”.
Në zbatim të legjislacionit në fuqi, përfshirë Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë, ligjin nr. 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, rregulloren për funksionimin e institucioneve arsimore parauniversitare dhe Kodin e Etikës së Mësuesit, Drejtoria e shkollës ka nisur procedurën për zgjidhjen e njëanshme të kontratës së punës.
Në respektim të afateve dhe të drejtës për t’u dëgjuar, mësuesi është njoftuar për t’u paraqitur më datë 09.02.2026, me qëllim parashtrimin e qëndrimit të tij lidhur me vendimin e marrë.
Që prej datës 03.02.2026, z. Zaimi nuk ka zhvilluar më orë mësimore në shkollën 9-vjeçare “Gustav Mayer”.
Institucionet arsimore mbeten të angazhuara për respektimin e standardeve profesionale, etikës dhe sigurisë së nxënësve, duke vepruar në përputhje të plotë me ligjin dhe procedurat përkatëse.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






