

Aventura e Kristjan Asllanit te Beşiktaş nuk ka nisur në mënyrën më të mirë. Mesfushori shqiptar është dënuar me dy ndeshje pezullim nga Federata Turke e Futbollit, pas kartonit të kuq të marrë në ndeshjen e tij debutuese.
Asllani u ndëshkua me karton të kuq direkt në përballjen Beşiktaş–Konyaspor, e zhvilluar më 31 janar, pas një faulli të fortë ndaj një lojtari kundërshtar. Komisioni i Disiplinës e cilësoi ndërhyrjen si të rëndë, duke vendosur pezullimin me dy ndeshje.
Si pasojë e këtij vendimi, 23-vjeçari nuk do të jetë i gatshëm për sfidën e ardhshme të kampionatit ndaj Alanyasporit, duke prishur planet e stafit teknik për aktivizimin e tij. Mesfushori kishte munguar edhe në ndeshjen e Kupës gjatë mesjavës për të shlyer pjesërisht dënimin.
Asllani kishte qëndruar në fushë vetëm gjashtë minuta në debutimin me fanellën e Beşiktaşit, para se të ndëshkohej me karton të kuq, episod që u bë objekt diskutimi në mediat sportive turke.
Mesfushori shqiptar u transferua te Beşiktaş gjatë merkatos së janarit, pas ndërprerjes së kontratës me Torinon. Ai është huazuar deri në fund të sezonit, ndërsa klubi turk ka opsionin për blerjen e kartonit të tij nga Interi.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






