

Gjykata Kushtetuese është mbledhur këtë të enjte për të shqyrtuar ankimin e qeverisë ndaj vendimit të GJKKO-së, që pezulloi Belinda Ballukun nga detyra e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Në pritje të vendimit të Kushtetueses, Balluku është parë të shkojë në zyrat e Këshillit të Ministrave. Edhe pse ende nuk është bërë i ditur objekti i mbledhjes, prezenca e Ballukut tek zyrat e Ramës lë të kuptohet se GJK mund të marrë një vendim.

Kushtetuesja është mbledhur rreth orës 11:00, por zyrtarisht nuk thuhet nëse mbledhja ka të bëjë me çështjen e dërguar nga Qeveria në Kushtetuese sa i përket masës së sigurisë për pezullimin e zv/kryeministres Belinda Balluku, apo në lidhje me ndonjë çështje tjetër. Megjithatë në kalendarin publik nuk ka në programin e ditës së sotme ndonjë çështje për shqyrtim.
Pas seancës publike të zhvilluar më 22 janar, pritet që trupa gjykuese të vendosë nëse do të japë sot një vendim përfundimtar apo do të marrë më shumë kohë për shqyrtimin e çështjes.
Balluku u pezullua nga detyra në nëntor me kërkesë të SPAK, pasi u mor e pandehur për abuzime në tenderin e tunelit të Llogarasë. Vendimi u kundërshtua nga kryeministri Edi Rama, i cili e cilësoi ndërhyrjen e GJKKO-së si shkelje të kompetencave të ekzekutivit dhe e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese.
Ndërkohë, SPAK i është drejtuar Kuvendit me kërkesë për heqjen e imunitetit të Ballukut si deputete, me qëllim vendosjen e një mase më të ashpër sigurie. Maxhoranca ka shtyrë mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, duke argumentuar se duhet pritur më parë vendimi i Kushtetueses, ndërsa opozita e kundërshton këtë qëndrim.
SPAK argumenton se Balluku, duke qenë në detyrë, paraqet rrezik për hetimin, pasi mund të ndikojë në prishjen e provave dhe intimidimin e dëshmitarëve. Ajo akuzohet për shkelje në tenderin 190 milionë euro të tunelit të Llogarasë dhe po hetohet edhe për disa procedura të tjera prokurimi të lidhura me ndërtimin e loteve të Unazës së Madhe.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






