Transmetuar më 06-02-2026, 12:22

HOLANDË – Një operacion i forcave speciale holandeze ka çuar në sekuestrimin e 500 kilogramëve kokainë dhe arrestimin e katër personave, mes tyre edhe dy shtetas shqiptarë, në zonën portuale të Harderwijkut.

Operacioni u zhvillua të enjten e kaluar në një depo të ndodhur në rrugën Van Leeuwenhoekstraat, ku një njësi e forcave speciale, e armatosur rëndë dhe me maska, ndërhyri në kuadër të një hetimi për trafik droge të drejtuar nga Policia e Roterdamit.

Sipas mediave holandeze, gjatë operacionit policia konstatoi dy persona teksa nxirrnin lëndën narkotike të fshehur në një pajisje brenda depos. Gjatë kontrollit u sekuestruan 500 kilogramë kokainë, si dhe një armë zjarri, e cila u mor si provë materiale.

Mes të arrestuarve janë dy burra 40-vjeçarë nga Shqipëria, të kapur brenda depos. Gjithashtu, u arrestua edhe një 43-vjeçar nga Dordrecht, i cili u ndalua ndërsa ishte duke u kthyer në banesën e tij. Një tjetër person, 44 vjeç nga Utrehti, u arrestua në afërsi të depos, por më pas u lirua, duke mbetur gjithsesi i dyshuar në hetim.

Tre nga të ndaluarit vijojnë të mbahen në paraburgim dhe pritet të merren në pyetje nga autoritetet hetuese në ditët në vijim. Ndërkohë, policia ka bërë të ditur se sasia e kokainës është shkatërruar, ndërsa hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal vazhdojnë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit