Transmetuar më 06-02-2026, 11:31

KONISPOL – Një atentat me lëndë eksplozive është parandaluar mbrëmjen e djeshme në zonën e Vrinës, në Bashkinë Konispol, pas reagimit të shpejtë të drejtuesit të mjetit, i cili konstatoi në kohë rrezikun.

Sipas informacionit paraprak nga Policia, shtetasi Mirash Gjikola, 57 vjeç, ka njoftuar Komisariatin e Policisë Sarandë pasi, teksa po lëvizte me automjetin e tij në vendin e quajtur “Kthesa e Vrinës”, në aksin rrugor Shëndëlli–Vrinë, ka dëgjuar një zhurmë të pazakontë në mjet. Pasi ka ndaluar, ai ka konstatuar praninë e një sasie të dyshuar lënde eksplozive.

Menjëherë në vendngjarje janë nisur forca të shumta policie, ndërsa më pas kanë mbërritur ekspertë të krimeve të rënda nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, si dhe reparti anti-eksploziv i RENEA-s, të cilët kanë rrethuar zonën dhe kanë marrë në dorë situatën.

Nga verifikimet paraprake, është konstatuar se në automjetin tip “Nissan”, me targa AA 725 LG, ishte vendosur një sasi lënde eksplozive, e dyshuar si e telekomanduar, e fshehur në pjesën e pasme të mjetit.

Fatmirësisht, pas ndërhyrjes në kohë, nuk ka pasur të lënduar apo dëme materiale. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, identifikuar autorët dhe përcaktuar motivet e vendosjes së lëndës eksplozive.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit