Transmetuar më 06-02-2026, 08:46

Tiranë – Operacioni “Blue Punisher”: Dy të arrestuar për prodhim dhe shpërndarje ekstazie, sekuestrohen 2200 tableta

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Blue Punisher”, pas disa javësh hetimesh të zhvilluara me metoda proaktive dhe nën drejtimin e Prokurorisë.

Si rezultat i operacionit, u arrestuan në flagrancë dy shtetas të afërm me njëri-tjetrin, Elvis Lezo, 42 vjeç dhe Bujar Lezo, 59 vjeç, banues në Tiranë, të dyshuar për përfshirje në aktivitet kriminal në fushën e narkotikëve.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë në banesën e tyre, në rrugën “Ali Demi”, u konstatua një ambient i përshtatur posaçërisht për përgatitjen e tabletave të lëndës narkotike ekstazi (MDMA), me qëllim shpërndarjen dhe shitjen në lokalet e natës.

Gjatë kontrollit, në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan 2200 tableta me lëndë të dyshuar narkotike ekstazi (MDMA), si dhe dy aparate celularë që dyshohet se përdoreshin për aktivitetin kriminal.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit