

Autoritetet norvegjeze kanë nisur një hetim ndaj ish-kryeministrit Thorbjørn Jagland, nën dyshimin për korrupsion të mundshëm që lidhet me kontaktet e tij me financierin amerikan Jeffrey Epstein, i dënuar për vepra penale seksuale.
Jagland shërbeu si kryeministër i Norvegjisë nga viti 1996 deri në vitin 1997, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Europës nga 2009 deri në 2019, si dhe kryetar i Komitetit Norvegjez të Nobelit nga 2009 deri në 2015.
Agjencia norvegjeze kundër korrupsionit, Økokrim, bëri të ditur se i ka kërkuar Ministrisë së Jashtme heqjen e imunitetit diplomatik të Jagland, në mënyrë që të mund të zhvillohet hetimi. Kreu i Økokrim, Pål Lønseth, deklaroi se hetimi do të përqendrohet në verifikimin nëse Jagland ka përfituar dhurata ose favore në lidhje me funksionet e tij publike.
Emri i Jagland përmendet disa herë në dokumentet e publikuara së fundmi nga autoritetet amerikane, që lidhen me pasurinë e Jeffrey Epstein. Në një email të majit 2012 drejtuar Epstein, Jagland shkruante: “Kam qenë në Tiranë (Shqipëri), vajza të jashtëzakonshme.” Në një tjetër email të janarit 2013, ai përmendte plane për të vizituar ishullin privat të Epstein në Karaibe, së bashku me bashkëshorten dhe djemtë e tij.
Duke reaguar ndaj publikimit të këtyre emaileve, Jagland i tha gazetës norvegjeze VG se përmbajtja e tyre përmbante “një zhargon të sikletshëm” që, sipas tij, mund të keqinterpretohej. Ai mohoi të ketë qëndruar ndonjëherë në ishullin privat të Epstein dhe theksoi se nuk kishte vizituar pronat e tij pa praninë e bashkëshortes.
Avokati i Jagland, Anders Brosveet, deklaroi se do të bashkëpunojë plotësisht me hetuesit. “Bazuar në informacionin që kemi deri më tani, jemi të sigurt për rezultatin,” tha ai për agjencinë Reuters.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






