

Europa po tërheq gjithnjë e më shumë profesionistë shqiptarë me kualifikim të lartë, përmes Kartës Blu të BE-së, një leje pune dhe qëndrimi për shtetas nga vendet jashtë Bashkimit Europian.
Sipas të dhënave të Eurostat, nga viti 2014 deri në vitin 2024 janë dhënë gjithsej 5 405 Karta Blu për shtetasit shqiptarë. Rritja më e fortë vërehet pas vitit 2019, periudhë që përkon me një valë emigracioni të profesionistëve të kualifikuar.
Në vitin 2023 u dhanë 825 karta, ndërsa në vitin 2024 numri ra në 592. Për krahasim, në vitin 2012 ishin dhënë vetëm 15 karta, ndërsa rekordi mbetet viti 2021 me 882 Karta Blu.
Gjermania, destinacioni kryesor
Rritja lidhet kryesisht me Gjermaninë, e cila ka qenë destinacioni kryesor për profesionistët shqiptarë.
Në vitin 2021, Gjermania dha 823 Karta Blu, ose 93% të totalit për shqiptarët në BE.
Në vitin 2023 u dhanë 716 leje (87% e totalit), ndërsa në vitin 2024 513 leje.
Profesionistët që përfitojnë Kartën Blu në Gjermani paguhen me të paktën 43 mijë euro në vit, që është edhe pragu minimal për aplikim.
Pas Gjermanisë renditet Italia, por me shifra shumë më të ulëta (23 karta në 2022, 41 në 2023 dhe 20 në 2024), e ndjekur nga Austria dhe Polonia, citon Monitor.
Fushat më të kërkuara
Gjermania ka tërhequr kryesisht profesionistë shqiptarë nga:
Teknologjia e Informacionit
Mjekësia dhe kujdesi shëndetësor
Kërkesa është nxitur nga mungesa e fuqisë punëtore, si pasojë e plakjes së popullsisë dhe zbutjes së kritereve për emigracionin e kualifikuar.
Ndikimi në Shqipëri
Ndërkohë, Shqipëria po ndjen efektet e largimit të talenteve. Sipas raportit të BERZH, rreth 23% e popullsisë së arsimuar ka emigruar. Po ashtu, në Indeksin Global të Konkurrueshmërisë së Talenteve 2025, vendi ka rënë në vendin e 63-të, me përkeqësim në zhvillimin e aftësive dhe mbajtjen e profesionistëve.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






