Transmetuar më 05-02-2026, 23:16

BERGAMO, Itali – Atalanta ka regjistruar një fitore të thellë 3-0 ndaj Juventusit në Bergamo, duke prerë biletën për në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë.

Pavarësisht se “Zonja e Vjetër” ishte më kërkuese dhe më dominuese në fazat e hershme të takimit, vendasit u treguan më konkretë para portës. Juventusi rrezikoi që në fillim përmes Francisco Conceiços dhe Manuel Locatellit, por pa arritur të gjejë rrugën e golit.

Momenti kyç i pjesës së parë erdhi në minutën e 27-të, kur Bremer preku topin me dorë brenda zonës. Gjyqtari akordoi penallti pas pamjeve në VAR, të cilën Gianluca Scamacca e shndërroi saktë në gol për epërsinë e Atalantës.

Juventusi tentoi të reagojë edhe në vazhdim, me Weston McKennie që ishte pranë barazimit, por goditja e tij përfundoi ngjitur me shtyllën e djathtë.

Në pjesën e dytë, teksa miqtë shtuan presionin, Atalanta goditi në kundërsulm. Kamaldeen Sulemana shënoi nga pranë portës në minutën e 77-të, duke dyfishuar rezultatin, ndërsa Mario Pasalic ‘vulosi’ fitoren bindëse me një goditje precize nga distanca në minutën e 85-të. Sulmuesi i Juves, Edon Zhegrova, u fut në lojë në minutën e 80-të.

Me këtë triumf, Atalanta avancon në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë, ku do të përballet me fituesin e çiftit Bologna – Lazio.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit