

Berisha: Zgjedhjet e vitit 2021 u fituan nga opozita e Lulzim Bashës, por u cenuan rëndë nga drejtimi i atëhershëm
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me anëtarët e degës numër 7 në Tiranë, është ndalur te zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 dhe ato të 11 majit 2025, duke deklaruar se opozita ka dalë fituese, por procesi zgjedhor është deformuar.
Berisha u shpreh se zgjedhjet e vitit 2021 u rrëmbyen përmes përdorimit masiv të fondeve publike dhe ndikimeve të paligjshme, duke theksuar se në disa zona të vendit janë shpërndarë shuma të mëdha parash me qëllim ndikimin e votës. Sipas tij, këto veprime u organizuan në mënyrë të targetuar dhe ndikuan drejtpërdrejt në rezultatin zgjedhor.
Ai akuzoi drejtimin e atëhershëm të Partisë Demokratike se nuk mbrojti votën dhe e cilësoi këtë qëndrim si një tradhti të rëndë politike. Berisha deklaroi se mungesa e reagimit dhe mbrojtjes institucionale të procesit zgjedhor i hapi rrugë deformimit të vullnetit të qytetarëve.
Në fjalën e tij, Berisha theksoi se që prej asaj kohe, Partia Demokratike ka ndërmarrë një angazhim për të dokumentuar çdo shkelje dhe për t’i paraqitur faktet opinionit publik dhe ndërkombëtarëve. Ai u shpreh se raportet dhe provat e publikuara më pas kanë ndikuar që proceset zgjedhore pasuese të vihen në diskutim që në fazat e para.
Sipas Berishës, përballja politike ka qenë e ashpër dhe e shoqëruar me presione ndaj vëzhguesve dhe kritikëve të procesit, por ai nënvizoi se qëndrimi i opozitës ka qenë i palëkundur në mbrojtje të votës dhe të standardeve demokratike.
Pjesa e plotë
Ju, ne, kemi fituar në 2021-shin. Jua them me bindjen më absolute. Por ai i rrëmbeu zgjedhjet. Si i rrëmbeu zgjedhjet? Po sepse shpërndau në zonën e Durrësit, Krujës, Kurbinit, Lezhës, Tiranës, Kavajës, 130 milionë euro. Me thesar, me fatura thesari. Kujt? Jua shpërndau atyre të dëmtuarve nga tërmeti, por i shpërndan krejtësisht me hartë elektorale në mënyrë që të blinte votat. Dhe dikush merrte 5.000, dikush merrte 10.000, dikush merrte 20.000 dhe me radhë, dhe i mori, ai mori votat. Ai mori votat.
Nuk do të merremi, por në një akt, jua them këtu, ishte një tradhti e vërtetë e atij që kishim kryetar, që nuk e mbrojti. Nuk e mbrojti votën. Miq, pa asnjë justifikim. Por kam shkrojtur me datën 27 prill një artikull ku them, vota vdiq pa hyrë në kuti.
Dhe i them atij, zotërinj, tani detyra jonë është të mbrojmë votën. Të mbledhim çdo provë, çdo fakt, çdo dokument dhe t’i faktojmë shqiptarëve dhe botës se zgjedhjet ishin farsë. Sepse ishin farsë. Sepse kurrë, kurrë nuk do të pranoja të njollosja një proces zgjedhor të drejtë. Por nuk mund të pranoj kurrë një proces zgjedhor që është farsë.
Ai bëri zgjedhjen e tij. Bëri zgjedhjen e tij. Dhe me ’21-shin përgatiti farsën më të më të madhe në histori, 2025-ën. Farsë zhvilloi në 2023-shin. Por nuk e falëm. Jua them këtu. Ai Libri i Zi, ai Libri i Zi që publikuam dhe bëmë, ia nxiu faqen dhe zgjedhjet atij. Dhe në qoftë se zgjedhjet e 25-ës, e majit, u damkosën që ditën e parë, në raportin e parë si asnjëherë tjetër, u damkosën sepse sepse Libri i Zi që ne e quajtëm u faktoi, i faktoi botës se çfarë farse elektorale bën ky armik i lirisë të botës shqiptarëve.
Dhe nuk pati ndonjë, bëri gjithçka, siç e dini ju, bëri gjithçka të na nëpërkëmbë. I kërcënoi si rrugaç, si bandit, kryesorët e vëzhguesve. Pse keni shkruajtur këtë? Ku i keni argumentonin? Po ata njerëz të ndershëm, njerëz të qytetëruar.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






