

Berisha: O qeveri teknike, ose përballje, këtë qeveri nuk e pranojmë kurrë më. 10 shkurti është dita e kryengritjes sonë paqësore që do t’i dridhë themelet Edi Ramës
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me qytetarët në degën 7 në Tiranë, ka përsëritur kërkesën për ngritjen e një qeverie teknike si e vetmja rrugë për zhvillimin e zgjedhjeve të reja. Ai tha se, në mungesë të kësaj zgjidhjeje, kjo qeveri nuk mund të pranohet më.
Berisha akuzoi qeverinë aktuale për keqmenaxhim dhe shkelje të besimit publik, duke nënvizuar se çdo qeveri që dëmton qytetarët humbet legjitimitetin, pavarësisht mënyrës se si ka ardhur në pushtet. Sipas tij, përdorimi i pushtetit në dëm të qytetarëve e rrëzon çdo justifikim politik.
Në fjalën e tij, Berisha e cilësoi Partinë Demokratike si të angazhuar në një mision të vështirë dhe historik, duke e krahasuar situatën aktuale me ngjarjet e shkurtit 1991. Ai shprehu bindjen se, ashtu si atëherë, opozita do të dalë më e fortë, duke theksuar se qëndrueshmëria, idealet dhe mosdorëzimi kanë qenë dhe mbeten forca kryesore e saj.
Berisha u shpreh se vendi ka hyrë në një cikël të rrezikshëm ku ‘krimi shndërrohet në votë dhe vota në krim’, një mekanizëm i ndërtuar dhe i përdorur në mënyrë sistematike për të prodhuar pushtet politik pa vullnet qytetar.
Sipas tij ky proces nuk është i rastësishëm dhe as i kufizuar në një palë zgjedhje, por një strategji e qëndrueshme që ka nisur që nga viti 2017 dhe është përsosur ndër vite.
‘Zgjedhjet janë shndërruar në farsë elektorale që nga viti 2017 e këtej’, deklaroi ai, duke e paraqitur këtë realitet si themelin mbi të cilin ndërtohet çdo akt i mëvonshëm i qeverisjes aktuale.
Në këtë këndvështrim, kryedemokrati Sali Berisha e lidhi drejtpërdrejt manipulimin e zgjedhjeve, me grabitjen e mandateve parlamentare dhe përdorimin e tyre si mburojë për korrupsionin. ‘Sot, mandatet e marra në farsë përdoren si mburojë e krimit, si parzmore për plaçkitjen dhe si instrument për të kryer një grusht shteti institucional’, u shpreh ai, duke e krahasuar situatën aktuale me momentet më të errëta të tranzicionit shqiptar. Sipas Berishës, ky grusht shteti është ‘më i rrezikshëm se ai i shkurtit të vitit 1991’, pasi ndodh jo me tanke dhe dhunë të hapur, por përmes deformimit të ligjit, blerjes së votës dhe kapjes së institucioneve.
Duke u ndalur në zgjedhjet e vitit 2021 dhe ato të 11 majit 2025, lideri i demokratëve Sali Berisha deklaroi se opozita është privuar nga fitorja përmes përdorimit masiv të parasë publike dhe strukturave kriminale. ‘Ne kemi fituar në 2021-shin, por zgjedhjet u rrëmbyen’, tha ai, duke përmendur si shembull shpërndarjen e 130 milionë eurove në zona të caktuara me qëllim blerjen e votës dhe faljen e gjobave e kamatave në prag të zgjedhjeve. Kulmi i kësaj strategjie, sipas tij, ishte falja e rreth ‘2 miliardë eurove dy ditë para zgjedhjeve’, një akt që ‘asgjëson zgjedhjet e çdo kombi, pavarësisht numrit të votuesve’.
Lideri i opozitës Sali Berisha tha se një pushtet i dalë nga këto procese nuk mund të ketë kurrë legjitimitet politik dhe moral. ‘Legjitimitet nuk ka dhe nuk mund të ketë pushtet që nuk del nga zgjedhje të lira’, deklaroi ai, duke nënvizuar se Partia Demokratike respekton vullnetin e qytetarëve edhe kur ndodhet në opozitë, por nuk mund dhe nuk duhet të pranojë ‘asnjë ditë farsën elektorale’. Sipas tij, pranimi i një realiteti të tillë do të ishte dorëzim përballë diktaturës moderne të ndërtuar mbi votën e deformuar.
Gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së Sali Berisha e përshkroi qeverisjen aktuale si një regjim që ka humbur legjitimitetin edhe për shkak të plaçkitjes sistematike të qytetarëve. ‘Çdo qeveri që vjedh qytetarët humbet legjitimitetin, edhe sikur të kishte dalë nga zgjedhje të lira’, deklaroi ai, duke përmendur afera të mëdha financiare që, sipas tij, arrijnë vlerën minimale prej 12 miliardë eurosh. Këto mandate, të cilat ai i quajti ‘mandate të krimit’, po përdoren sot për të bllokuar drejtësinë dhe për të mbrojtur ministra dhe zyrtarë të lartë nga përballja me ligjin.
Në këtë kuadër, lideri i opozitës Sali Berisha artikuloi kërkesën për një zgjidhje politike: krijimin e një qeverie teknike që të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. ‘O qeveri teknike, ose përballje. Këtë qeveri nuk e pranojmë kurrë më’, deklaroi ai, duke e paraqitur këtë si një vijë të kuqe për opozitën dhe për qytetarët që kërkojnë rikthimin e demokracisë funksionale.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e lidhi betejën politike me fatin ekzistencial të Shqipërisë, duke paralajmëruar për rrezikun e shpopullimit masiv, degradimit të shtetit dhe humbjes së shpresës kombëtare. Sipas tij, largimi i të rinjve, kapja e drejtësisë dhe korrupsioni i institucionalizuar po e çojnë vendin drejt një pike pa kthim. Pikërisht për këtë arsye, ai e përshkroi këtë përballje jo si një betejë partiake, por si një betejë për rikthimin e votës së lirë, për dinjitetin qytetar dhe për mbijetesën demokratike të Shqipërisë.

FJALA E PLOTE:
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet e mia më të përzemërta për secilin prej jush në këtë sallë, për të gjithë demokratët dhe demokratët dhe mbështetësit tanë, në këtë lagje, në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë.
Ne zhvillojmë këtë takim, këtë bisedë në një moment kritik, vërtet kritik për vendin.
Kritik sepse në këto vite të opozitës tonë të vështirë, të mundimshme, të opozitës në kushtet e një shtypje reale, ka ndodhur që me mekanizmin e shndërrimit të krimit në votë dhe votës në krim, të mashtrimit në votë dhe votës në mashtrim, të vjedhjes dhe plaçkitjes tuaj në votë, dhe votës në vjedhje dhe plaçkitje, sot kemi ardhur në një kohë të papërsëritshme, e cila, duhet të themi haptas, nuk ka ekzistuar që nga viti 90 gjer në ditën e sotme.
Sot, pasi shndërroi zgjedhjet në farsë elektorale, tani mandatet e marra me këto, në këtë farsë, përdoren si mburojë e krimit, përdoren si mburojë e plaçkitjeve, përdoren si mekanizëm, përdoren si faktor për të kryer një grusht shteti më të keq, jua them unë këtu, shumë më të keq se ai që bëri Ramiz Alia në shkurt të vitit ’91.
Po, më të keq. Më të rrezikshëm.
Tani, një njeri i cili duke përdorur të gjithë fuqinë ekzekutive, fuqinë e pushtetit të tij, duke
shkelur çdo ligj dhe normë, i ka shndërruar zgjedhjet në farsë elektorale, dhe jo në 2026-ën, jo. I ka shndërruar zgjedhjet në farsë elektorale nga 2017 dhe këtej.
Ju, ne kemi fituar në 2021-shin. Jua them me bindjen më absolute. Por ai i rrëmbeu zgjedhjet. Si i rrëmbeu zgjedhjet? Po sepse shpërndau në zonën e Durrësit, Krujës, Kurbinit, Lezhës, Tiranës, Kavajës, 130 milionë euro. Me thesar, me fatura thesari. Kujt? Jua shpërndau atyre të dëmtuarve nga tërmeti, por i shpërndan krejtësisht me hartë elektorale në mënyrë që të blinte votat. Dhe dikush merrte 5.000, dikush merrte 10.000, dikush merrte 20.000 dhe me radhë, dhe i mori, ai mori votat. Ai mori votat.
Zgjedhjet ishte, s’do të merremi, por në një akt, jua them këtu, ishte në tradhti e vërtetë të atij që kishim kryetar, që nuk e mbrojti. Nuk e mbrojti votën. Miq, pa asnjë justifikim. Por kam shkrojtur me datën 27 prill një artikull ku them, vota vdiq pa hyrë në kuti. Dhe i them atij, zotërinj, tani detyra jonë është të mbrojmë votën. Të mbledhim çdo provë, çdo fakt, çdo dokument dhe t’i faktojmë shqiptarëve dhe botës se zgjedhjet ishin farsë. Sepse ishin farsë. Sepse kurrë, kurrë nuk do të pranoja të njollosja një proces zgjedhor të drejtë. Por nuk mund të pranoj kurrë një proces zgjedhor që është farsë.
Ai bëri zgjedhjen e tij. Bëri zgjedhjen e tij. Dhe me ’21-shin përgatiti farsën më të më të madhe në histori, 2025-ën. Farsë zhvilloi në 2023-shin. Por nuk e falëm. Jua them këtu. Ai Libri i Zi, ai Libri i Zi që publikuam dhe bëmë, ai ja nxihu faqen dhe zgjedhjet atij. Dhe në qoftë se zgjedhjet e 25-ës, e majit, u damkosën që ditën e parë, në raportin e parë si asnjëherë tjetër, u damkosën sepse sepse Libri i Zi që ne e quajtëm u faktoi, i faktoi botës se çfarë farse elektorale bën ky armik i lirisë të botës shqiptarëve.
Dhe nuk pati ndonjë, bëri gjithçka, siç e dini ju, bëri gjithçka të na nëpërkëmbë. I kërcënoi si rrugaç, si bandit, kryesorët e vëzhguesve. Pse keni shkruajtur këtë? Ku i keni argumentonin? Po ata njerëz të ndershëm, njerëz të qytetëruar.
S’kishin lidhje me bandat. Dhe jo vetëm që i qëndruan raportit, por e ridimensionuan atë. Pse ndalem unë në këtë?
Për dy arsye. Së pari, për secilin demokrat po dhe për çdo qytetar ka sot të drejtën legjitime t’i përgjigjet me çdo mënyrë dhe me çdo mjet Edi Ramës, sepse ai është një kryeministër i paligjshëm. Sepse legjitimitet nuk ka. Legjitimitet nuk ka ndonjëherë kurrë po s’doli nga zgjedhjet e lira. Nuk ka legjitimitet.
Ne jemi, ne jemi demokratë. Edhe sikur 20 vjet të rrimë në opozitë, por zgjedhjet të jenë të lira, ne respektojmë vullnetin e qytetarëve. Por ne s’duhet ta respektojmë asnjë ditë farsën elektorale.
Ne duhet të nxjerrim gjoksin tonë, guximin tonë, vendosmërinë tonë për t’u përballur çdo ditë me ata që e shndërruan zgjedhjet në farsë.
Miq, unë e di me shumë të drejtë se secili prej jush ka një listë vërejtjesh, kritikash për
Partinë Demokratike. Dhe u garantoj ju se në tërësi ato janë shumë të drejta. Vetëm asnjëri prej jush nuk ka të drejtë nuk ka të drejtë të mohojë të vërtetën.
Cila është e vërteta? Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje.
Dhe secili prej, prej atyre që përpiqet ta mohojë këtë, verbërisht ose me qëllim, bëjnë punën e tij. Verbërisht ose me qëllim. Pse e them këtë? Po. Sepse, në qoftë se kjo ose qëndron, ose s’qëndron. Në qoftë se zgjedhjet mund të bëhen me Edi Ramën, atëherë ai ka bërë zgjedhje, jo farsë. Farsat nuk i fiton kurrë opozita. Jo.
Opozita fiton zgjedhje të lira dhe të ndershme. Farsat, farsat nuk i fiton. Nuk i fiton askush përveç diktatorit. Thjesht fare, jemi këtu. Të supozojmë bashkë se në zgjedhjet 11 majit, ai nuk arrestoi në vit elektoral liderët e opozitës, si kurrë ndonjëherë. Të damkosur në katër anët për të.
Të supozojmë se ai nuk shndërroi shërbëtorët tanë. Punonjësit e administratës janë me, me definicion shërbëtorë të qytetarëve. Nuk i shndërroi në policë elektoralë. Të supozojmë për një moment se ai nuk dha në mes të fushatës 100 euro për çdo për çdo pensionist.
Të supozojmë për një moment se ai nuk ka aktivizoi hanxharët e krimit në Durrës, në Elbasan, në Korçë, në Vlorë dhe në të gjitha qarqet e vendit për të marrë votat. T’i supozojmë se asnjë nga këto. Të supozojmë se nuk dha licencën për 28,000 hektarë kanabis. Në një kohë kur ligji thotë 200 hektarë. Për një moment themi se s’ka ndodhur asnjëra prej tyre.
Por miq, 2 miliardë euro dy ditë para zgjedhjeve gjoba dhe kamata. Unë thashë, unë kur e njoftova thashë do të jenë nja 200 milionë. Tani që janë bërë faturat, dalin 2 miliardë. Që i interesojnë 200,000 familje.
Asgjësojnë jo zgjedhjet e një kombi me 1 milionë e 400 mijë zgjedhës, por asgjësojnë zgjedhjet e çdo kombi edhe me 3-4 milionë zgjedhës.
Nuk bën zgjedhje ky, prandaj edhe e drejta jonë ti vërsulemi atij, e drejta jonë për një betejë për jetë a vdekje gjer të rikthejmë votën e lirë. Ai nuk mund të qëndrojë në pushtet, ai nuk duhet të qëndrojë në pushtet, ne duhet të votojmë të lirë.
Ne jemi njerëz politikë.
Ne kemi kaluar beteja ndoshta si asnjë forcë tjetër politike në Europë. Shumë prej jush rikujtojnë shkurtin e 91-shit. dhe me radhë nuk po rri të bëj histori. Por ne tani jemi në fushë. Ne tani jemi në shesh.
Ne tani kemi një armik përpara, i cili me qëndrimet e tij nuk krijon zgjedhje. Të krijojmë një qeveri teknike, të shkojmë drejt zgjedhjeve, se përndryshe ne këtë qeveri nuk mund ta pranojmë kurrë.
Por kjo është vetëm njëra anë dhe kjo është kryesorja, jua them unë ju. Kjo është kryesore. Ana e dytë, po kaq e rëndësishme, po kaq kryesore, është plaçkitja e qytetarëve.
Çdo qeveri që vjedh qytetarët, që vjedh qytetarët, humbet legjitimitetin. Le të ketë dalë nga zgjedhje të lira, të ndershme dhe të shkëlqyera, ajo po vodhi qytetarët, humbet legjitimitetin. Sepse ka përdorur pushtetin për të vjedhur qytetarët.
Çfarë kemi bërë ne si parti Demokratike? Ju jeni dëshmitarë. Ne kemi denoncuar në emër tuaj dhe për ju aq sa biles ka që thonë se u bë e mërzitshme duke denoncuar, por jo nuk heqim kurrë dorë nga denoncimi. Kemi denoncuar të gjitha dhe kjo që këto afera që kanë dalë tani, ju them unë ju, përveç aksit që ka një dimension tjetër, këto nuk janë kryesore, ka të tjera, ka zinxhir i cili shkon në mënyrë absolute minimumi 12 miliardë dhe më shumë euro. Minimumi.
Dhe ku jemi? Tani ato mandatet e krimit, ato mandatet e marra me Elvis Doçin, me Çelën, me Troplinët, ato mandate të marra duke falur 2 miliardë gjoba, tani kthehen në mbrojë për krimin, në parzmore dhe mbrojnë Belinda Ballukun, faktikisht Edi Ramën.
Dhe thotë, për herë të parë, për herë të parë, jo thotë, nuk ja heq imunitetin. E thashë dhe mbrëmë dhe e them dhe këtu.
Drejtësia italiane, e cila ç’është e vërteta në atë kohë kishte një majtizëm të jashtëzakonshëm, i kërkoi imunitetin Silvio Berluskonit. Kolos. Një kryeministër si ai s’kishte parë Italia. Po as që e vuri në diskutim. As që e vuri në diskutim. Paraqitjen para gjykatësit. Paraqitjen para ligjit. Sepse kështu është kushtetuta, kjo është. Kushtetuta të detyron.
Kurse ky na thotë jo thotë, nuk mund të vijë Belinda. Në mënyrë absolute, ja do vdesim, ja do i rrëzojmë. Por ne atë s’do ta pranojmë kurrë. Kjo është. Ne kemi ardhur gjer tani në fushëbetejë. Dhe kemi ardhur me të drejtën më të madhe. Kemi ardhur pasi i kemi faturuar çdo shqiptari dhe të dhe mikut të Shqipërisë se ky ka ky ka kryer krimin e shëmtuar të farsës elektorale.
Dhe se tani ky do me përdorur imunitetin në mburojë dhe të vazhdojë të na plaçkisë, të na plaçkisë çdo ditë.
Jo. Këto, ne jemi njerëz politikë. Këto ne nuk i ndajmë më. Ndaj dhe janë këto dy arsye më madhore të cilët ne si forcë politike kemi mision, kemi mision historik, më të vështirin.
Ua them unë ju. Por të sigurtë që ne do fitojmë. Cilido prej jush ju kujtohet shkurti i 91-shit. Menduan se do na shfarosin. Vranë 9 qytetarë në lagjen rreth spitaleve, lagjen numër 10. Plagosën 100, burgosën 300 dhe organizuan vallen e vdekjes në të gjithë Shqipërinë me fanatikët e Enverit.
Po në fund ne dolëm më të fortë nga ajo gjithë ajo terror, sepse qëndruam, nuk përdorëm as armë, nuk përdorëm forcën, po po përdorëm idealet tona, besnikërinë e tyre ndaj tyre dhe nuk u përkulëm.
Sot sigurisht është kohë tjetër. Sot është një kohë tjetër, veçse shumë punë kemi bërë për ta nxjerrë ashtu siç është. Po. Mos e harroni këtë. Nuk mund të sulmohet një qeveri pa e faturuar që ajo zhvilloi farsë dhe jo zgjedhje. Nuk ishte e lehtë kjo.
Po pse nuk ishte e lehtë? Sepse ai është një proces votim, thotë zgjedhje. Nuk janë zgjedhje ato. Ashtu zgjedhje kemi bërë ne në diktaturë çdo 4 vjet, edhe me daulle i bënim ne ato zgjedhjet në diktaturë.
Fillonte daullja atje te qendra e votimit, edhe atëherë bile, se këta shkrujtën aty u administruan, administrimin më të bukur e bënte diktatura, po ta marrësh si ai. E kishte çdo gjë me, me kuadrat. Bravo po.
Ndaj dhe ne filluam kryengritjen tonë. Kjo është kryengritje paqësore. Ta dinë mirë, kushdo, shqiptarë dhe miqtë e Shqipërisë. Ne nuk ndahemi. Nuk ndahemi dhe nuk mund të ndahemi. Pse? Shqiptarët mund të mos na besonin më.
Ne jemi e vetmja forcë politike bashkë me Fidesin e Hungarisë që jemi në këmbë dhe gjallë dhe të fortë. Asnjë tjetër.
Të gjitha forcat antikomuniste që u krijuan në vitet ’90 u larguan nga skena. Ne nuk u larguam. Ne kaluam periudhat më të vështira se çdo njëra prej tyre. Të pakrahasueshme. Po pse mbetëm ne? Ne mbetëm absolutisht vetëm sepse mbrojtëm të vërtetat që besojmë, mbrojtëm idealet tona. Përndryshe, edhe ne do shkriheshim si bryma para diellit, siç u shkrinë të tjerat.
Erdhi fushata e fundit. Jo po këta janë të vjetër, partia kështu e partia ashtu e po ja ku dolën ato të rejat. Ne na votuan. Pra, jo se ndodhin këto, ne duhet, se do të jemi, duhet të jemi të vërtetë dhe realistë.
Ndodhi në Francë. Presidenti aktual ishte ministër i presidentit Holland. Dhe erdhën zgjedhjet, presidenti i thotë atij, do kandidosh ti për president? Jo thotë, do kandidoj, po do kandidoj me partinë time, jo me partinë tënde.
Partinë e vet s’e kishte fare. E krijoi partinë, e krijoi partinë dhe fitoi edhe president, edhe shumicën në parlament. Pra, elektorati francez u tha jo atyre të tjerëve, edhe disa miqve tanë biles. Kjo kështu, po këtu jo, s’ndodhi. Këtu nuk ndodhi. Dhe ju them unë ju, se nuk ka asgjë më të vërtetë se rezultantja e mendimit qytetar, se konkluzionet, rezultantja e konkluzioneve. Shqiptarët e panë që ne jemi e vetmja shpresë e tyre.
Ndaj dhe ne jemi në mision sot. Çdo demokrat e demokrate duhet të ndjejë veten në mision.
Kemi bërë dy protesta.
Jua them unë ju, janë mirëpritur më shumë në memorien time, ndofta se të gjithë protestat tona.
Pse janë mirëpritur? Janë mirëpritur sepse e dinë që ky, mund t’i vesh çdo epitet, jua mori zgjedhjet. Dhe e dinë se ky ka vjedhur, i ka plaçkitur dhe tani, tani bën grusht shteti, bllokon drejtësinë. Kjo është. Mos mendojë kush se mbështetesh për arsye të tjera. Për këtë të mbështet.
Për këtë kemi mbështetjen në mbarë botën. Për këtë, ne do t’u provojmë shqiptarëve dhe botës se nuk rrimë.
Ne do, ne do të ngadhënjejmë, do të triumfojmë, dhe shqiptarët do votojnë të lirë.
Do ta mbyll, jo për t’ju dëshpëruar ju, po për të kuptuar se sa jetik, se sa jetik është ky mision. Unë mund t’ju them ju se ne jemi, ne po shkojmë drejt rrokullisjes, zhdukjes në këto, në këto ritme. E përmendi Grigelsi.
Të rinjtë nga Shqipëria në vitin 2025 janë larguar katër herë më shumë se nga Serbia. Katër herë më shumë se nga çdo vend tjetër.
Imagjinoni ju. Ku shkojmë ne pa të rinjtë? Të rinjtë tanë, ëndrrën e ndërtojnë në rrugët e vendeve të tjera. Ne mbetemi, presim vitet të bëjnë punën e tyre.
Po marr pra këtë aspekt, aspekt patriotik, që është i një rëndësie vendimtare. Por s’është vetëm kaq.
Sot ka një degradim të shtetit, ju garantoj, se në shumë aspekte është i pakrahasueshëm me degradimin e shtetit të diktaturës komuniste. Po zotëri.
Mënyra e vetëposhtërimit të gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese, është e pashembullt në historinë e një shteti.
Njerëz të shkolluar, njerëz të shëtitur nëpër botë, njerëz që mund të kenë përfunduar dhe studimet jashtë dhe të jenë kthyer, shndërrohen në larva njerëzore. Dhe bëhen strofulla e fundit e atyre që ju kanë vjedhur ju, atyre që i lanë të sëmurët pa ilaçe në spitale, atyre që i përzënë të rinjtë nga Shqipëria.
Dhe mblidhen njëherë dhe njëri i thotë kështu, tjetri ashtu. Mblidhen së dyti, tjetri ja mban, thotë s’kam kohë, ikën. Sepse i nxjerrin videot e horrit. Nga Olton Bisri të regjistruar nga Lubia e të tjerë me radhë.
Ky është vetëm një aspekt. Merr aspektin e djeshëm, të helmeve. Përmasa makbethiane. Lojë e tmerrshme me jetën dhe shëndetin e shqiptarëve. Një mafie e pa asnjë ndjenjë njerëzore krijon rrjetin jashtë të gjitha kushteve të trajtimit të helmeve.
Dhe e patë ju se si doli Lubia, doli Lubia te tjetër dhe se si dolën të na gënjenin se këto s’ishin gjë, se këto janë, se ç’mashtroni ju, nuk janë helme, po janë të tilla e të atilla. Ato ishin helme të shkallës më të lartë.
Pra, mund t’ju jap shembuj të tjerë. Ka një degradim.
Miq, përpara ishte sigurimi i shtetit. Polici mizore sekrete, ishin 4.000 vetë të cilët përndiqnin dhe bënin çdo poshtërsi ndaj qytetarëve. Sot ka si ata, dhjetëfishi i tyre. Absolutisht.
Po çfarë do i thuash atij? Çfarë e quan ti atë i cili merr nga paratë tuaja, merr nga paratë tuaja 2 milionë, 3 milionë nga rruga që ndërtohet dhe rruga shembet dhe shpifën, ju mashtrojnë ju nga mëngjesi deri në darkë. Glorifikon të keqen, demonizon opozitën dhe merr prapë para pastaj.
Kjo nuk është e shtrirë më vetëm në administratë, po e po.
Lexoja unë një ditë i shkruante njeri. Po ti, një drejtoreshë e përgjithshme se ç’ishte. E të tilla e të atillë, e këto, ato. Po si ajo janë shumica. Po çfarë nënash, motrash janë ato drejtoresha, më thoni ju mua, që i shohin të sëmurat në onkologjik me sëmundje gjiri dhe që e dinë se cilat janë pasojat e sëmundjes së gjirit dhe i lanë aparaturën dy vjet, tre vjet pa punë.
Çfarë mund të thuash atyre? A mund t’u thuash atyre nëna dhe motra? Shumë vështirë. S’ka asgjë të përbashkët.
Pse po e them këtë? Po e them këtë për ta pasur qartë secili nga ne, se çfarë transformimi, çfarë metamorfoze të tmerrshme ka, ka pësuar ky shtet. Ky narkoshtet.
Vjen nusja me një pallat e Edi Ramës. E denoncojmë ne, e bëjmë, të gjitha këto, pallatin në pajë, këto, ato. Ku del problemi? Del problemi se pallati nuk kishte asnjë faturë, as për asnjë qindarkë, as ndërtimi, as bankare, as tatimore, as doganore. Madje ndërtuesi e kishte regjistruar dhe vetë në emër të tij. Pallatin e gjakpirëses, në pajë.
Tani më thoni ju mua, çfarë ndodhi? Ai mori rrugën, e cila kushtonte me të gjitha përllogaritjet, 73 milionë euro. Dhe rrugën e përfundoi me 330 milionë euro. Dikush thotë dhe 400. Rrugën Qukës-Qafë Plloçë.
Sigurisht, ai i ndan pare me ta, se të gjitha s’ia ka lënë atij. Dhe rruga shembet segment për segment. Mos është vetëm ajo? Jo. Jo mor jo. Kjo është kudo. Pra, pra, e them këtu para jush, Shqipëria ka nevojë etike për një transformim po aq të madh sa ’90-ën.
Edhe duhet t’i themi gjërat në sy. Ta dinë shqiptarët. Çfarë do bëhet? Çfarë do bëhet me 300 apartamentet e Lubi Ballukut? Dhe ju siguroj që është vetëm 1/10 e pasurisë së saj. Jo. Të gjithë këta, të cilët i bënë Shqipërisë, i shkaktuan shqiptarëve, në aspektin më thelbësor të ekzistencës së tyre, dramën më të madhe nga vitet 1300 të mortajës së zezë, këta meritojnë dhe do meritojnë ndëshkimet më të rënda.
Më mirë t’jua themi haptas përpara dhe të qëndrojmë. Të qëndrojmë dhëmb për dhëmb në fitoren e betejës tonë.
Çfarë është Ergys Agasi? U sa Ergys Agas janë këta? Është njëri prej tyre. Jo nuk është. Ai një. Ata që e kanë njohur, ishin një ordiner, drejtor. Po e patë ju se, e patë ju se si shkonin ministrat, si shkonin gjyqtarët, si shkonin prokurorët tek zyra e tij.
Dhe që organizonte vrasje nga zyra e tij. Po po 100% kjo e faktuar.
Pra, edhe ky është një thirrje e madhe për ne. Të bashkohemi. Të bashkohemi me çdo qytetar të ndershëm që beson që është i gatshëm të ngrihet për të shpëtuar Shqipërinë. Asnjë lloj, askush tjetër përveç nesh, njerëz që mbrojmë të vërtetën, njerëz që i kemi qëndruar besnikë, pavarësisht nga sakrificat, idealeve tona, nuk do të shpëtojë Shqipërinë.
Data 10 shkurt është dita jonë. Është dita e kryengritjes sonë paqësore, është dita që do t’i dridhen themelet Edi Ramës gjer në largimin e tij nga pushteti.
Faleminderit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






