Transmetuar më 05-02-2026, 18:39

Sëmundjet kancerogjene po marrin përmasa alarmante dhe po i ngjajnë gjithnjë e më shumë një epidemie. Vetëm gjatë vitit të fundit, në Shqipëri janë regjistruar mbi 7 mijë raste të reja me kancer, duke e renditur këtë grup sëmundjesh në vendin e dytë për nga shkaku i vdekjeve, pas sëmundjeve kardiovaskulare.

Sipas të dhënave zyrtare, rreth 16% e vdekjeve në vend kanë si shkak fillestar sëmundjet tumorale. Gjatë prezantimit të statistikave deri në vitin 2024, ekspertët theksuan se rritja e rasteve lidhet edhe me stilin e jetesës, ushqyerjen, duhanpirjen dhe mungesën e aktivitetit fizik.

Tek meshkujt vihet re një rritje e ndjeshme e kancerit të mushkërive, stomakut, prostatës dhe zorrës së trashë. Ndërsa tek femrat, kanceri i gjirit mbetet forma më e përhapur, me rreth 800 raste të reja të diagnostikuara çdo vit.

Edhe Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” raporton rritje të rasteve dhe të shtrimeve spitalore për shkak të sëmundjeve tumorale, çka tregon një ngarkesë gjithnjë e më të madhe për sistemin shëndetësor.

Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, ka deklaruar se përmirësimi i shërbimit onkologjik dhe rritja e cilësisë së trajtimit për pacientët me sëmundje të rënda mbetet një nga sfidat kryesore të institucionit që ajo drejton.

Ashtu si në vendet e tjera të botës, edhe në Shqipëri projeksionet flasin për një rritje të mëtejshme të rasteve me kancer, kryesisht për shkak të plakjes së popullsisë.

Statistikat tregojnë se meshkujt janë më të prekur, me mbi 3,800 raste të reja gjatë vitit të fundit, ndërsa tek gratë janë regjistruar rreth 3,200 raste të reja.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit