Transmetuar më 05-02-2026, 18:15

Nëse në Farkë rreth 3 vite më parë toka bujqësore shitej me çmim 50 euro për metër katror, aktualisht çmimi ka arritur nga 70 euro deri në 100 euro për metër katror.

Sipas të dhënave nga tregu, çmimi i tokës është dyfishuar. Në rrethina të tjera të Tiranës, sipas agjentëve imobiliarë, si fshati Mullet apo Ndroq, çmimi i tokës bujqësore është mbi 50 euro për metër katror.

Nëse do të blihet 1 hektar (ha) tokë në këto zona, vlera do të kushtojë nga 500 mijë deri në 700 mijë euro, ndërsa në Farkë shkon deri në 1 milion euro.

Sipas Stela Dhamit nga “Colliers International Albania”, rritja e ndjeshme e çmimeve të tokës bujqësore lidhet me faktin se shumica e saj po shfrytëzohet për ndërtim, ndërsa hapësirat e gjelbra të lira janë thuajse të ezauruara. Ajo thekson se edhe vetë pronarët nuk janë të interesuar të ulin çmimet e shitjes dhe shumë prej tyre preferojnë ta menaxhojnë tokën bujqësore në mënyrë “të zgjuar”.

Krahasuar me vendet e Bashkimit Europian, çmimet e tokës bujqësore në rrethinat e Tiranës rezultojnë shumë herë më të larta.

Në vendet e BE-së, sipas të dhënave të Eurostat, çmimi mesatar i tokës bujqësore për vitin 2024 arriti në 15,224 euro për hektar, ose rreth 1.5 euro për metër katror. Krahasuar me vitin 2023, çmimi i shitjes së tokës bujqësore në BE u rrit me 6.1%, nga 1.4 euro në 1.5 euro për metër katror.

Sipas Eurostat, shteti me çmimin më të lartë mesatar për 1 hektar tokë bujqësore është Malta me 201,263 euro, e ndjekur nga Holanda me 96,608 euro dhe Portugalia me 76,556 euro. Ndërkohë, çmimet më të ulëta janë regjistruar në Letoni (4,825 euro), Lituani (5,590 euro) dhe Sllovaki (5,823 euro).

Referuar të dhënave të detajuara të Eurostat, pas Maltës, një ndër zonat më të shtrenjta për tokën bujqësore është Flevoland në Holandë. Çmimi i tokës bujqësore në këtë zonë në vitin 2024 arriti në 187 mijë euro për hektar.

Flevoland është një zonë kryesore bujqësore me tokë të re, shumë pjellore dhe e shtrirë pranë detit, çka e bën çmimin e tokës shumë më të lartë krahasuar me pjesën tjetër të Holandës.

Çmime të larta shitjeje regjistrohen edhe në Ishujt Kanarie të Spanjës, ku toka bujqësore ka arritur në 148 mijë euro për hektar, sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2024, citon Monitor.

Në vendet e rajonit, çmimet e tokës bujqësore janë dukshëm më të ulëta. Në Selanik të Greqisë, çmimi i tokës bujqësore është rreth 14,600 euro për hektar, ose afërsisht 1.5 euro për metër katror.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit