Transmetuar më 05-02-2026, 17:57

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, njoftoi sonte se nuk ka kthim të përdorimit të monopatinave apo skuterëve elektrikë. Reagimi erdhi disa orë pasi në media qarkulloi lajmi i mbështetur në vëzhgime terreni, se këto mjete lëvizin lirshëm dhe policia nuk vepron.

"Udhëzimi për ndalimin e qarkullimit me monopatina mbetet në fuqi. Nuk ka asnjë vendim për heqjen e masës së ndalimit të përkohshëm. Policia e Shtetit vijon angazhimin e përditshëm në terren për garantimin e zbatimit të plotë të këtij udhëzimi, në përputhje me njoftimet zyrtare të bëra më herët", thotë Koçiu. E megjithatë fakt është se këto mjete qarkullojnë dendur sidomos në Tiranë dhe policia nuk i ka ndaluar ato.

Koçiu thotë se të dhënat e Policisë së Shtetit dhe të shërbimeve të traumës konfirmojnë një rënie të ndjeshme të numrit të aksidenteve gjatë periudhës së zbatimit të saj.

Por a do të rikthehen këto mjete? Dhe përse funksionarë të lartë policie disa herë kanë folur për rikthim të tyre?

Koçiu thotë se kanë ende nevojë për kohë: "Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, po vijon vlerësimin e situatës për të përcaktuar vendimmarrjen më të drejtë, duke vendosur në qendër të çdo hapi sigurinë dhe jetën e çdo qytetari".

Aksioni për ndalimin e monopatinave elektrike në Tiranë nisi katër muaj më parë, pasi ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, dolën publikisht dhe njoftuan masat për ndalimin e përkohshëm të qarkullimit të tyre deri në hartimin e një rregulloreje, duke pretenduar se ishin shtuar rastet e aksidenteve.

Pas këtij njoftimi, nisi edhe operacioni nga Policia Rrugore, e cila bllokoi rreth 2 mijë monopatina që qarkullonin pa asnjë rregullore të miratuar. Por ndërsa pritej hartimi dhe miratimi i një rregulloreje të posaçme për lëvizjen e monopatinave në rrugët e qytetit, aksioni dështoi dhe u shua gradualisht.

Në mungesë të një rregulloreje konkrete dhe kontrolleve në terren, monopatinat janë rikthyer masivisht në rrugë. Siç mund të keni parë, plot qytetarë lëvizin me monopatinë elektrike pa asnjë kufizim dhe pa u ndalur nga policia.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit