Transmetuar më 05-02-2026, 16:55

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka konfirmuar publikisht se synon një mandat të dytë në krye të shtetit, ndërsa skena politike në Kosovë mbetet ende e paqartë për mbështetjen që ajo mund të marrë në Kuvend.

Edhe pse Kosova është një demokraci parlamentare, posti i presidentit ka pasur gjithmonë peshë të veçantë politike. Mandati i ardhshëm nuk bën përjashtim, teksa kalkulimet partiake po shtohen dhe afatet kushtetuese po afrohen.

Aktualisht, vendi ndodhet në një periudhë tranzitore, pasi Kuvendi i ri ende nuk është konstituuar, ndonëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare dhe pritet certifikimi i tyre. Afati për zgjedhjen e presidentit përfundon më 4 mars dhe dështimi për ta përmbushur këtë proces rrezikon zgjedhje të parakohshme.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka fituar mbi 51 për qind të votave në zgjedhjet e fundit parlamentare, nuk është shprehur ende qartë për mbështetjen ndaj Osmanit. Kryetari i saj, Albin Kurti, ka pranuar se ka pasur bisedime me presidenten, por pa dhënë sinjale të qarta për një vendim përfundimtar.

Analistë politikë vlerësojnë se LVV po shmang një deklarim të prerë, duke ushtruar presion mbi opozitën ndërsa afrohet afati i zgjedhjes së presidentit. Sipas tyre, kjo strategji synon të shmangë zgjedhjet e reja dhe të detyrojë partitë e tjera të pranojnë një zgjidhje kompromisi.

Edhe partitë opozitare nuk kanë një qëndrim të unifikuar. PDK dhe LDK kanë deklaruar se fillimisht duhet të konstituohet Kuvendi, ndërsa LDK ka theksuar se presidenti i ardhshëm duhet të përfaqësojë unitetin kombëtar. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka lënë të hapur mundësinë e një kandidature nga radhët e saj, duke përmendur emrin e Ramush Haradinajt.

Sa i përket pakicave joshumicë, disa prej përfaqësuesve të tyre kanë deklaruar se do të mbështesin kandidatin e propozuar nga shumica parlamentare, duke mos përjashtuar edhe Vjosa Osmanin.

Sipas Kushtetutës, për zgjedhjen e presidentit nevojiten fillimisht dy të tretat e votave të deputetëve, ndërsa në raundin e tretë mjafton shumica e thjeshtë prej 61 votash. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda afatit, Kosova rrezikon paralizë institucionale, mungesë buxheti dhe vonesa në marrëveshjet ndërkombëtare.

Analistët paralajmërojnë se zgjedhjet e reja do të ishin një skenar ekstrem, që do të sillte pasoja serioze politike dhe ekonomike për vendin.

REL

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit