Transmetuar më 05-02-2026, 15:29

Fshati Gryksh i Madh i Peqinit është zhytur në zi pas tragjedisë së familjes Kola në Itali, ku katër anëtarë humbën jetën nga helmimi me monoksid karboni, teksa ndodheshin në banesën e tyre.

Të afërmit dhe fqinjët rrëfejnë se familja Kola kishte rreth tre vite që jetonte dhe punonte në Itali, ndërsa më herët kishin qenë emigrantë sezonalë në Greqi. Sipas tyre, kjo tragjedi është “fatura e emigrimit”, pas sakrificave të shumta dhe viteve të vështira larg vendlindjes.

Banorët thonë se familja ishte parë vetëm pak javë më parë, gjatë festave të fundvitit, kur kishin shkëmbyer urime dhe shpresa për të ardhmen. Sot, ato kujtime janë kthyer në dhimbje të thellë.

Familja Kola përshkruhet si e rregullt, punëtore dhe e respektuar nga i gjithë komuniteti. Arti Kola, kryefamiljari, ishte jetim dhe kishte humbur të atin në moshë shumë të re.

“Këto janë plagët e emigrimit. I nisëm fëmijët me duart tona dhe sot na kthehen në arkivol. Një ngjarje e tillë nuk i ka ndodhur kurrë këtij fshati. Jemi të shokuar. Ka rënë tragjedi jo vetëm për fshatin tonë, por për gjithë Shqipërinë. Ishin njerëz punëtorë, hallexhinj, gjithmonë duke parë punën e vet”, shprehen fqinjët mes dhimbjes.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 4 shkurtit në banesën trekatëshe të familjes në Itali. Nga hetimet e para dyshohet se shkak i vdekjes ka qenë rrjedhja e monoksidit të karbonit nga pajisja e ngrohjes.

Viktimat janë identifikuar si Arti Kola, 48 vjeç, bashkëshortja e tij Jonida Kola, 42 vjeçe, dhe dy fëmijët e tyre, Hajdar Kola 22 vjeç dhe Xhesika Kola 15 vjeçe.

Alarmin e ka dhënë vëllai i kryefamiljarit, i cili pasi nuk mori asnjë përgjigje pas trokitjeve në derë, njoftoi karabinierët. Forcat e rendit u detyruan të thyejnë derën e banesës, ku gjetën katër trupat e pajetë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit