

Tiranë – Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Popular”, duke zbardhur një skemë kriminale ku dy shtetas të rritur dyshohet se kanë nxitur një të mitur të kryente vjedhje në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Sipas Policisë, më datë 21 janar, dy shtetasit A. D., 48 vjeç dhe A. H., 41 vjeç, kanë shtyrë një 14-vjeçar që të vidhte një motomjet në rrugën “Kongresi i Manastirit”, i cili më pas është përvetësuar nga 41-vjeçari. Pas hetimeve dhe veprimeve operacionale nga Komisariati i Policisë Nr. 4, të dy shtetasit janë vënë në pranga, ndërsa është ndaluar edhe i mituri.
Nga verifikimet rezulton se 14-vjeçari dyshohet të jetë autor i rreth 150 vjedhjeve gjatë dy viteve të fundit, përfshirë katër raste të ndodhura së fundmi në Tiranë.
Gjatë kontrollit të një garazhi në pronësi të njërit prej të arrestuarve, Policia ka sekuestruar dy motomjete dhe pjesë të ndryshme motomjetesh, që dyshohet se lidhen me aktivitetin e kundërligjshëm.
Autoritetet po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së kësaj skeme dhe për zbardhjen e rasteve të tjera ku mund të jenë përfshirë këta shtetas. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






