Transmetuar më 05-02-2026, 13:52

Ekzekutohen masat e sigurisë për 4 shtetas që ishin në hetim pasi dyshohet se i hoqën lirinë një 30-vjeçareje (familjare e tyre) dhe e dhunuan atë, për shkak të një konflikti në familje

Policia e Gjirokastrës ka ekzekutuar masat e sigurisë të vendosura nga Gjykata e Gjirokastrës për katër shtetas që ishin në hetim, pas dyshimeve për një ngjarje të rëndë të ndodhur në kuadër të një konflikti familjar.

Seksioni për Hetimin e Krimeve i Komisariatit të Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Stacionin e Policisë Këlcyrë dhe Komisariatin e Policisë Nr. 3 Tiranë, ka finalizuar ekzekutimin e masave të sigurisë për këta shtetas.

Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për shtetasit A. A., 34 vjeç, vëllai i 30-vjeçares, dhe S. A., 54 vjeç, xhaxhai i saj, të dy banues në Tiranë, si edhe për shtetasin L. L., 43 vjeç, banues në Këlcyrë, bashkëshorti i 30-vjeçares. Dy shtetasit e parë u lokalizuan dhe u kapën në Tiranë, me ndihmën e shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3.

Ndërkohë, për shtetasin E. M., 51 vjeç, banues në Tiranë, Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se më datë 10 janar 2026, këta shtetas, duke vepruar në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë mbajtur me forcë 30-vjeçaren në një automjet dhe më pas kanë ushtruar dhunë ndaj saj, për shkak të një konflikti në familje.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për vijimin e veprimeve ligjore.

Njoftimi i plotë

Seksioni për Hetimin e Krimeve i Komisariatit të Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme "Shqiponja", të DVP Gjirokastër, Stacionin e Policisë Këlcyrë dhe Komisariatin e Policisë Nr. 3 Tiranë, ekzekutoi masat e sigurisë të caktuara nga Gjykata e Gjirokastrës, për 4 shtetas që ishin në hetim.

U ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar nga Gjykata, për veprat penale "Dhuna në familje” dhe "Heqja e paligjshme e lirisë", kryer në bashkëpunim, për shtetasit:

– A. A., 34 vjeç (vëllai i 30-vjeçares) dhe S. A., 54 vjeç (xhaxhai i 30-vjeçares), të dy banues në Tiranë.

Këta shtetas u lokalizuan dhe u kapën në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, Tiranë;

-L. L., 43 vjeç, banues në Këlcyrë (bashkëshorti i 30-vjeçares).

Gjithashtu, u ekzekutua masat e sigurisë "Arrest në shtëpi", për shtetasin E. M., 51 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale "Heqja e paligjshme e lirisë", kryer në bashkëpunim.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 10.01.2026, për shkak të një konflikti në familje, i kanë hequr lirinë 30-vjeçares, duke e mbajtur me forcë, në automjet, dhe më pas e kanë dhunuar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Foto arkiv

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit