Transmetuar më 05-02-2026, 13:36

Tiranë – Bankat dhe operatorët që ofrojnë shërbime në bankomate dhe në pikat e shitjes (POS) do të jenë të detyruar të informojnë më qartë klientët për kostot reale të këmbimit të monedhave, sipas ndryshimeve të reja rregullatore të Bankës së Shqipërisë.

Me rregullat e reja, përdoruesit e kartave do të marrin informacion të detajuar për tarifat, kursin e aplikuar dhe përqindjen shtesë mbi kursin zyrtar para se të kryejnë çdo tërheqje ose pagesë.

Banka e Shqipërisë thekson se, sipas nenit 52, pika 2 të ligjit “Për shërbimet e pagesave”, operatorët duhet të shprehin në përqindje diferencën mes kursit të aplikuar dhe kursit më të fundit të disponueshëm, dhe ta njoftojnë atë paguesit para nisjes së transaksionit.

Sipas rregullave të reja, klientët do të informohen gjithashtu për: – shumën që do të debitohet nga llogaria e tyre, – shumën që do të përfitojë marrësi në monedhën përkatëse, – kursin e këmbimit dhe çdo tarifë shtesë.

Ky informacion duhet të shfaqet qartë në ekranin e bankomatit ose në pajisjen POS, përpara se transaksioni të përfundojë.

Banka e Shqipërisë nënvizon se çdo ofrues i shërbimit të këmbimit të monedhës duhet të sigurojë informacion të plotë për shumën e paguar dhe shumën e përfituar, para se të nisë transaksioni.

Ndryshimet synojnë të adresojnë ankesat e shpeshta për kostot e larta, veçanërisht për tërheqjet cash me kartat e huaja, një problem që raportohet shpesh nga turistët dhe nga shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.

Edhe Autoriteti i Konkurrencës ka rekomanduar më herët rishikimin e metodologjisë së komisioneve në bankomate.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit