

Berat, 5 shkurt 2026 – Një tension i ri ka dalë në sipërfaqe në qytetin e Beratit, pasi banorët e një zone kërkojnë asfaltimin e një rruge të dëmtuar, ndërsa sipas tyre, përgjigjja e Bashkisë ka qenë se nuk ka fonde dhe se protesta nuk do të ndryshojë vendimin.
Qytetarët thanë se kanë zhvilluar një takim me kryetarin e bashkisë, gjatë të cilit u është thënë se nuk ka burime financiare për realizimin e investimit.
“Na thanë: bllokoni rrugën, bëni greva, bëni çfarë të doni. Nuk pyesim për ju”, deklaroi një prej protestuesve për mediat lokale. Ai shtoi se banorët ndihen të mashtruar dhe se pas fushatave elektorale, premtimet nuk po përmbushen.
“Vijnë, marrin votat dhe pastaj ikin. Nuk na dhanë shpresë, na thanë ‘s’kemi fonde!’”, u shpreh ai.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për përmirësimin e rrugës, duke theksuar se gjendja e saj paraqet rrezik për sigurinë e qarkullimit dhe për shëndetin e komunitetit.
Nga ana e saj, Bashkia e Beratit nuk ka dhënë ende një deklaratë zyrtare për mediat në lidhje me situatën, por pritet që institucioni të shpjegojë në mënyrë të detajuar arsyet e mungesës së financimit dhe afatet e mundshme të investimit.



Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






