

Tiranë – Ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili, është paraqitur ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Ismaili është nën hetim nga SPAK në lidhje me sulmin kibernetik ndaj institucioneve të drejtësisë, ku dyshohet për përfshirje në disa vepra penale. Konkretisht, ai po hetohet për përgjim të paligjshëm të të dhënave kompjuterike, kryerje të veprimeve në kuadër të grupit kriminal dhe grup kriminal.
Hetimi lidhet me rastin e hakerimit të adresave elektronike të prokurorëve të posaçëm, i cili u sinjalizua më 12 mars 2025. Në kuadër të këtij hetimi, më herët janë arrestuar ish-zyrtari i burgjeve Zambak Gjoni dhe shtetasi Arnold Rrokaj.
SPAK ka bërë me dije përmes një njoftimi zyrtar se ka marrë informacion mbi tentativën për ndërhyrje të paligjshme në adresat e email-eve të prokurorëve të posaçëm në datën 12 mars 2025. Sipas institucionit, falë masave të avancuara të sigurisë, nuk është arritur të cenohet sistemi i brendshëm i SPAK, i cili ka mbetur i paprekur.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e përgjegjësive ligjore.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






