

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) pritet të zhvillojë sot, në orën 10:00, seancën paraprake ndaj ish-presidentit dhe kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, si dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi. Në këtë seancë do të vendoset nëse dosja e njohur si “Meta” do të kalojë ose jo për gjykim.
Në seancën e kaluar, e cila zgjati rreth tetë orë, u shënuan përplasje mes Ilir Metës dhe prokurorit të SPAK, Sotir Kllapi. Prokuroria arriti të lexojë vetëm 90 faqe nga kërkesa për kalimin e çështjes në gjykim, ndërsa mbeten ende rreth 100 faqe për t’u paraqitur.
SPAK mbylli hetimet më 28 korrik 2025, në kuadër të hetimeve që lidhen me aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe hetimin pasuror ndaj ish-zyrtarëve.
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Ndërkohë, Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë, të kryer në bashkëpunim, ndërsa Fatime Kryemadhi dhe Ema Çoku akuzohen për pastrim parash.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






