

Bilanci tregtar i Shqipërisë për produktet ushqimore po reflekton një varësi gjithnjë e më të theksuar nga importet, veçanërisht në sektorin e bulmetit. Të dhënat e publikuara nga INSTAT për tregtinë e jashtme tregojnë se kategoria “Produkte bulmetore, vezë dhe mjaltë” ka shënuar një rritje të ndjeshme të importeve, duke u rritur nga 6.8 miliardë lekë në vitin 2024 në rreth 7.7 miliardë lekë në vitin 2025.
Krahasuar me vitin 2021, importet në këtë kategori janë rritur me rreth 62%, ndërsa vetëm brenda një viti kalendarik zgjerimi vlerësohet në rreth 14%. Sipas ekspertëve, kjo tendencë tregon një dobësim të vazhdueshëm të prodhimit vendas, i cili po humbet terren përballë produkteve të importuara kryesisht nga vendet e Rajonit dhe Bashkimit Evropian.
Rritja e importeve lidhet drejtpërdrejt me krizën strukturore që ka përfshirë sektorin e blegtorisë në Shqipëri. Prej vitesh, numri i krerëve në blegtori është në rënie të vazhdueshme, si pasojë e braktisjes së zonave rurale, plakjes së popullsisë dhe mungesës së interesit të brezave të rinj për të vijuar aktivitetin bujqësor familjar.
Në të njëjtën kohë, kostot e prodhimit vendas janë rritur ndjeshëm për shkak të shtrenjtimit të inputeve bujqësore dhe bazës ushqimore për blegtorinë. Kjo situatë i ka vënë fermerët shqiptarë në vështirësi për të konkurruar me prodhuesit e huaj, të cilët përfitojnë nga skema subvencionimi më të forta dhe teknologji më efikase prodhimi.
Tregu i brendshëm po reagon duke mbushur mungesën e prodhimit vendas përmes importeve. Ndërkohë që konsumi mbetet relativisht i qëndrueshëm dhe kërkesa nga sektori i turizmit është në rritje, oferta e qumështit dhe nënprodukteve “Made in Albania” po zëvendësohet gjithnjë e më shumë nga produktet e importuara.
Forcimi i monedhës vendase ka ndikuar gjithashtu në favor të importeve. Leku i fortë e ka bërë më të lirë importin e produkteve bulmetore nga vendet e Bashkimit Evropian, si Italia apo Hungaria, krahasuar me grumbullimin e qumështit vendas, i cili shoqërohet me kosto të larta logjistike.
Ekspertët paralajmërojnë se, nëse kjo prirje vijon me të njëjtat ritme si në vitin 2025, Shqipëria rrezikon të humbasë sovranitetin ushqimor për produktet bazë. Rritja e importeve me rreth 10 milionë euro brenda një viti konsiderohet një sinjal se politikat aktuale të mbështetjes për blegtorinë nuk po arrijnë të ndalin tkurrjen e sektorit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






