

ITALI- Fytyra e engjëllit që i ngjante kryeministres italiane Giorgia Meloni, e cila ngjalli mjaft polemika ditët e fundit në vendin fqinj është fshirë nga i njëjti restaurues që e pikturoi atë në kishën e San Lorenzo në Lucina, në zemër të Romës.
“U hoq. Në fund të fundit, gjithmonë kam thënë se nëse do të kishte qenë përçarëse, do ta kishim bërë. Për më tepër pati një radhë të gjatë njerëzish që erdhën ta shihnin dhe të bënin selfie, jo për t’u lutur… Nuk mund të qëndronte ashtu. Edhe Fiorello bëri shaka për radhën për të parë pikturën”, tha për ANSA-n me një buzëqeshje, famullitari Daniele Micheletti.
Restauruesi i bazilikës këmbënguli fillimisht se kishte ruajtur të njëjta tipare të engjëllit që kishin qenë në origjinal, por ishte e qartë ngjashmëria që engjëlli kishte me Meloni. Restauruesi pranoi e se kishte prishur restaurimin pas një kërkesë që i kishte ardhur nga Vatikani.
Ndërkohë, turistët që mbërritën sot për të parë afreskun e famshëm thanë se ishin dakord me heqjen e fytyrës së Melonit, por dukeshin edhe të zhgënjyer që nuk kishin mbërritur në kohë për ta parë atë.
"Më duket çmenduri, por gjëja më e pabesueshme është se gjysma e Romës erdhi këtu për të parë pikturën. Shumë vërejnë se një person që bën punën e tij duhet ta bëjë këtë me respekt për historinë e afreskut dhe të kishës," thotë Martina, 22 vjeç.
Ndërsa një turist tjetër shprehet se: "Artisti nuk duhej ta kishte pikturuar këtë fytyrë; ai është qartësisht një mbështetës i Melonit dhe është e drejtë që ajo të hiqet".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






