

Gazetarja Liridona Vejseli po përballet prej dy vitesh me procese gjyqësore në Tetovë dhe Gostivar, për shkak të një padie nga disa gjyqtarë, nën pretendimin për keqpërdorim të të dhënave personale në raportimet e saj gazetareske.
Së fundmi, Vejseli u dënua me 700 euro nga Gjykata Themelore në Gostivar, pasi në një publikim kishte përmendur emrin e një gjyqtari. Ajo ka paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit, duke e cilësuar procesin si një “lojë pingpongu” mes prokurorive të Tetovës dhe Gostivarit.
Publikimi i kontestuar lidhet me një rast ku një burrë kishte dërguar materiale pornografike një të miture dhe e kishte kërcënuar për publikimin e tyre. Megjithëse ai u dërgua në paraburgim, gjyqtari Nazif Iljazi e dënua me tre muaj burgim, ndërsa Vejseli u penalizua për përmendjen e emrit të tij, me argumentin se publikimi “dëmton nderin dhe reputacionin” e tij.
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë dhe Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale (ASHMAA) kanë reaguar, duke e konsideruar vendimin si një presion ndaj lirisë së mediave dhe të drejtës së publikut për informacion. Shoqata paralajmëroi se ndjekjet penale të tilla rrezikojnë lirinë e shprehjes dhe sigurinë e gazetarëve.
Kryeministri Hristijan Mickoski gjithashtu dënoi rastin, duke e cilësuar dënimin si një kufizim të lirisë së fjalës dhe apeloi që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.
Ky nuk është rasti i parë i Vejselit; vitin e kaluar ajo u gjobit për publikimin e emrit të gjyqtarit Afrim Jakupi, ndërsa më parë kishte pasur raste të ngjashme me përmendjen e emrave të profesionistëve të tjerë në raportimet gazetareske. Gazetarja shprehet se këto procese krijojnë një klimë të vështirë pune për median dhe bëjnë profesionin joatraktiv për të rinjtë, përfshirë studentët që ndjekin gazetarinë.
Raportet ndërkombëtare, si Indeksi i Lirisë së Mediave i Reporterëve pa Kufij dhe raportet e Komisionit Evropian, vlerësojnë se, megjithëse Maqedonia e Veriut ka garanci ligjore për lirinë e shprehjes, mjedisi i funksionimit të mediave të pavarura dhe profesionale duhet të përmirësohet. (Radio Evropa e Lirë)
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






