Transmetuar më 04-02-2026, 19:33

Qeveria ka hartuar projektligjin e Amnistisë Penale, i cili pritet të shqyrtohet fillimisht në Këshillin e Ministrave dhe më pas të kalojë për miratim në Kuvend.

Sipas parashikimeve, nga kjo amnisti do të përfitojnë mbi 10 mijë persona, ndërsa rreth 380 të burgosur pritet të lirohen menjëherë dhe afërsisht 980 të tjerë të përfitojnë ulje të dënimit.

Drafti, i publikuar nga Report TV, parashikon përfitime për persona të dënuar me vendim të formës së prerë deri më 31 dhjetor 2025, me përjashtim të veprave penale të rënda të përcaktuara shprehimisht në ligj.

Lirim i menjëhershëm nga burgu

Sipas projektligjit, do të përfitojnë lirim të menjëhershëm:

Burrat e dënuar me deri në 3 vite burg

Gratë e dënuara me deri në 4 vite burg

Burrat që kanë mbetur për të vuajtur deri në 3 vite burg

Gratë që kanë mbetur për të vuajtur deri në 4 vite burg

Burrat që kanë mbushur moshën 60 vjeç

Gratë që kanë mbushur moshën 50 vjeç

Persona që në momentin e kryerjes së veprës penale kanë qenë 18 vjeç ose më të vegjël

Këto kategori përfitojnë pavarësisht masës fillestare të dënimit, për sa kohë vepra penale nuk bën pjesë në listën e përjashtimeve.

Ulje dënimi

Përveç lirimeve të menjëhershme, rreth 1 mijë persona do të përfitojnë ulje të dënimit:

Ulje me 1 vit për burrat

Ulje me 1 vit e gjysmë për gratë dhe të miturit

Nga kjo skemë përjashtohen të dënuarit nga GJKKO, personat me burgim të përjetshëm, të arratisurit, ata që i janë shmangur drejtësisë, si dhe autorët e veprave të rënda si vrasja në rrethana cilësuese, vrasja e punonjësve të policisë, funksionarëve publikë apo vrasjet brenda familjes.

Pushim i ndjekjes penale

Projektligji parashikon gjithashtu pushimin e ndjekjes penale për rreth 9 mijë qytetarë. Bëhet fjalë për çështje që ndodhen në fazë hetimi, gjykimi apo kallëzime ende të pashqyrtuara, për vepra të kryera deri më 31 dhjetor 2025, të cilat dënohen deri në 3 vite burg sipas Kodit Penal dhe Kodit Penal Ushtarak.

Këto çështje do të pushohen, përjashtuar rastet që bien në kategoritë e ndaluara nga ligji.

Kush përjashtohet nga amnistia

Nga përfitimet e Amnistisë Penale përjashtohen personat e dënuar për 19 kategori veprash penale, përfshirë:

Krime kundër njerëzimit

Krime kundër jetës dhe shëndetit

Krime seksuale

Krime kundër fëmijëve, martesës dhe familjes

Krime kundër pasurisë dhe ekonomisë

Krime të falsifikimit

Krime kundër mjedisit

Krime kundër rendit kushtetues

Krime terroriste

Krime kundër drejtësisë dhe zgjedhjeve

Banda të armatosura dhe organizata kriminale

Vepra penale në kompetencë të GJKKO

Gjithashtu, nga amnistia përjashtohen të gjithë personat në arrati ose ata që i janë shmangur drejtësisë, të cilët nuk përfitojnë as lirim, as ulje dënimi dhe as pushim të ndjekjes penale.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit