

VATIKAN – Kryeministri Edi Rama ka nisur ditën e sotme vizitën e tij zyrtare në Vatikan.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë ka ndarë pamje dhe detaje nga ndalesa e parë e kësaj vizite, e cila është zhvilluar në Genazzano, në bazilikën e njohur ku ndodhet shembëlltyra e Zojës së Këshillit të Mirë.
Sipas Ramës, kjo shembëlltyrë ndodhet mbi një copë muri të shkëputur nga Kisha e Shkodrës në vitin 1467 dhe përbën një simbol me rëndësi të veçantë historike dhe fetare për shqiptarët. Ai thekson se që nga ajo kohë, asnjë kryetar shteti apo qeverie shqiptare nuk kishte vizituar këtë bazilikë, ku përherë, krahas figurës së Zojës së Shqipërisë, qëndron edhe flamuri kombëtar shqiptar.
Në reagimin e tij, Kryeministri nënvizon se në këtë bazilikë kanë kryer vizita dhe rite fetare thuajse të gjithë Papët e Romës. Ai shton gjithashtu se edhe Papa Leoni XVI, menjëherë pas zgjedhjes së tij, u lut në Genazzano pranë Zojës së Shqipërisë, e njohur ndryshe edhe si Regina di Albania (Mbretëresha e Shqipërisë).
Vizita e Kryeministrit Edi Rama në Vatikan zhvillohet në kuadër të një takimi zyrtar me Atin e Shenjtë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






