Transmetuar më 04-02-2026, 19:13

Zbardhet biseda e Presidentëve të Kinës dhe SHBA. Xi: Bashkëpunim për leverdi reciproke. Trump: Çojmë përpara lidhjet dypalëshe

Presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi të mërkuën një bisedë telefonike me homologun amerikan Donald Trump.

Xi Jinping vuri në dukje se “gjatë vitit të kaluar, kemi ruajtur komunikim të mirë dhe patëm një takim të suksesshëm në Busan, i cili drejtoi zhvillimin e marrëdhënieve Kinë-ShBA dhe u mirëprit nga popujt e të dy vendeve si dhe bashkësia ndërkombëtare”.

“Unë u kushtoj rëndësi të madhe marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Në këtë vit të ri, jam i gatshëm të punoj me ju për të vazhduar të drejtoj anijen e këtyre marrëdhënieve që të lundrojë me një përparim të qëndrueshëm përmes erës dhe dallgëve, duke realizuar arritje domethënëse dhe të dobishme. ShBA-ja dhe Kina kanë preokuptimet e veta. Kina gjithmonë i mban premtimet që jep. Për sa kohë që të dyja palët mbështesin parimet e barazisë, respektit dhe përfitimit të ndërsjellë dhe ecin në të njëjtin drejtim, mund të gjejmë mënyra zgjidhëse, duke marrë parasysh preokuptimet reciproke. Këtë vit, si Kina ashtu edhe ShBA-ja kanë disa agjenda të rëndësishme. Kina do të fillojë zbatimin e Planit të 15-të Pesëvjeçar, ndërsa ShBA-ja do të kremtojë 250 vjetorin e themelimit dhe të dy vendet do të organizojnë përkatësisht Takimin Joformal të Liderëve të APEC-ut dhe Samitin e Liderëve të G20-ës. Të dyja palët, në përputhje me konsensusin që kemi arritur, duhet të forcojnë dialogun dhe komunikimin, të menaxhojnë siç duhet dallimet, të zgjerojnë bashkëpunimin konkret, duke synuar për çdo rezultat pozitiv dhe duke mos krijuar problem sado të vogël. Kështu që, të ndërtojmë gur pas guri besim të ndërsjellë, për të hapur një rrugë të drejtë të bashkëjetesës, duke e bërë vitin 2026 një vit në të cilin dy vende të mëdha, si Kina dhe Shtetet e Bashkuara, të ecin drejt respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit me leverdi reciproke”, u shpreh kreu i shtetit i Kinës.

Ai thekoi në bisedë se çështja e Tajvanit është çështja më e rëndësishme në marrëdhëniet Kinë-ShBA. Tajvani është territor i Kinës dhe Kina duhet të mbrojë sovranitetin dhe tërësinë e saj territoriale. “Ajo kurrë nuk do të lejojë që Tajvani të ndahet dhe ShBA-ja duhet ta trajtojë me shumë seriozitet shitjen e armëve në Tajvan”, shtoi ai.

Ndërsa, presidenti Trump tha nga ana e tij se Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë dy vende të mëdha dhe marrëdhëniet e tyre janë marrëdhëniet më të rëndësishme dypalëshe në botë.

“Kam një lidhje të shkëlqyer me presidentin Xi Jinping dhe kam respekt të madh për të. Nën udhëheqjen time dhe të presidentit Xi, ShBA-ja dhe Kina kanë pasur ndërveprime pozitive në fusha si tregtia dhe ekonomia. Gëzohem ta shoh suksesin e Kinës dhe ShBA-ja është e gatshme të forcojë bashkëpunimin me Kinën për ta çuar përpara zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe. I kushtoj rëndësi preokupimit të Kinës mbi çështjen e Tajvanit dhe jam i gatshëm të ruaj komunikimin me Kinën për të mbajtur një marrëdhënie të mirë dhe të qëndrueshme dypalëshe gjatë mandatit tim”, tha presidenti amerikan.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit