

KORÇË – Detaje të reja janë zbardhur lidhur me plagosjen me thikë të ndodhur në një lokal në qytetin e Korçës, ku mbeti i plagosur një 34-vjeçar, Bernard Qelemeni.
Burime nga policia bëjnë me dije se autori i dyshuar, një 17-vjeçar, është larguar nga vendi i ngjarjes menjëherë pas konfliktit, por është kapur nga shërbimet e Policisë vetëm disa minuta më vonë dhe është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Korçë.
Nga hetimet paraprake dyshohet se shkaku i përplasjes lidhet me një konflikt të mëparshëm mes palëve, konkretisht me një vjedhje të dyshuar të banesës së 17-vjeçarit, e ndodhur rreth dy vite më parë, për të cilën pretendohet se autor ka qenë i plagosuri, Bernard Qelemeni.
Sipas burimeve, 17-vjeçari e ka konstatuar 34-vjeçarin në ambientet e lokalit dhe mes tyre ka nisur fillimisht një debat verbal, i cili më pas ka degraduar në konflikt fizik. Gjatë përplasjes, dyshohet se i plagosuri e ka goditur të miturin, ndërsa ky i fundit e ka plagosur me thikë në krah.
34-vjeçari ka pësuar dëmtime në dorë nga mjeti prerës dhe ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Ai rezulton një emër i njohur për policinë lokale për shkak të precedentëve të mëparshëm në fushën e vjedhjes së pasurisë.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë.
Korçë/Informacion paraprak
Në lagjen nr.4, Korçë, gjatë një konflikti dyshohet se shtetasi P. K., ka dëmtuar në dorë me mjet prerës (thikë) shtetasin B. Q., rreth 37 vjeç, banues në Korçë, i cili aktualisht ndodhet në spitalin e Korçës, jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë kanë kapur dhe shoqëruar në ambientet e komisariatit për veprime të mëtejshme autorin e dyshuar të ngjarjes, shtetasin P. K.
Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë po punon për dokumentimin ligjor të rastit dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






